Në një kohë që opozita boliviane feston daljen nga skena të presidentit Evo Morales, i cili dha dorëheqjen pas anulimit të zgjedhjeve të tetorit, prokuroria e përgjithshme e La Paz lëshoi një urdhër arresti për ish-kreun e shtetit. Hetuesit konfirmuan hetimet për mashtrim si dhe urdhër arrestet për ish kryetarin e gjykatës elektorale dhe të zëvendësit të tij.
Në rrugët e kryeqytetit të Bolivisë, militantët e opozitës flasin për përfundimin e një diktature dhe akuzojnë liderin indigjen se u arratis përballë rrezikut të një përplasjeje të mundshme. Manifestuesit shprehen se tashmë ndihen të lirë dhe një popull i bashkuar. Por mbështetësit e Morales, përfshirë ish-ministren e Shëndetësisë, flasin për një përpjekje të paligjshme të policisë për të arrestuar Morales.
Përpara se Presidenti të jepte dorëheqjen, të arsyetuar me përpjekjen për të shmangur përplasje të dhunshme, ishte anuluar i gjithë procesi zgjedhor, u shpërnda komisioni elektoral dhe u shpallën zgjedhje të reja. Të gjitha masa këto që nuk i mjaftuan zyrtarëve ushtarakë të cilët publikisht i kërkuan Morales që të largohej menjëherë nga posti i tij.
Nga ana e tij presidenti i rrëzuar, i cili denoncon një grusht shteti, akuzoi liderin e opozitës Luis Ferdinando Kamaho, i cili ka premtuar 50 mijë dollarë për këdo që do të dorëzonte ish-kreun e shtetit në duart e policisë.
Me një klimë politike të tensionuar, një apel për shmangien e dhunës u bë dhe nga sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Guteres, i cili u bëri apel palëve që të kërkonin një zgjidhje politike të konfliktit.
Morales, presidenti i parë indigjen në historinë e kontinentit, qëndroi në pushtet për 15 vjet, dhe mbështeti shtetëzimin e sektorit të hidrokarbureve dhe politikat që i dhanë fund varfërisë për tre milionë bolivianë.