SPAK kërkon të kalojë në llogari të shtetit 10 pasuri të patundshme të zotëruara nga një shtetas belg, i dyshuar nga drejtësia belge për trafikim të ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika Latine në Europë.
Sekuestrim i pasurive në Shqipëri të belgut Dries Loneux është miratuar nga gjykata në qershor të vitit të shkuar, në bazë të ligjit anti-mafia, si pasuri të siguruara nga aktivitetit kriminal, në vijim të një hetimi të koordinuar mes SPAK dhe drejtësisë belge.
Pasuritë e belgut Dries Loneux janë 5 apartamente në Sarandë si edhe 5 sipërfaqe trualli në Tiranë, që variojnë nga 550 metër në 5150 metër, në një prej të cilave ndodhet edhe një ndërtesë.
Sipërfaqet e truallit ishin në pronësi të shoqërisë tregtare “Ralet Green”, të regjistruar në shtator 2019 në Qendrën Kombëtare të Biznesit Shqipëri me administrator dhe aksioner të vetëm Dries Loneux.
Tashmë, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive, kërkesë që pritet të shqyrtohet nga gjykata e Posaçme më 24 maj.
Me kërkesë të SPAK, gjykata ka bërë edhe një afishim publik për seancën, përmes të cilit kërkon të njoftojë për seancën jo vetëm Dries Loneux, por edhe të ëmën e tij, të bijën, ish-bashkëshorten, bashkëjetuesen, si edhe një shtetase shqiptare, si persona të lidhur.
Aktualisht 45-vjeçari Loneux ndodhet në qelitë e burgut të Arlonit në Belgjikë, duke vuajtur një dënim me 12 vite burg dhënë vitin e kaluar nga drejtësia e këtij vendi për akuzat e “drejtimit të një organizate kriminale”, “trafik lëndësh narkotike” dhe “importim të kokainës”.
Grupi ku bënte pjesë u fajësua për importimin në Europë të gati 2 tonëve kokaine, të fshehur në kontenierë me fruta apo mallra të tjera që vinin nga Kolumbia.
Kokaina futej nga porti i Antwerp e më pas përpunohej në laboratorë të organizatës në Ferrueres dhe Modavë, dy lokalitete belge.