Aktualitet I akuzuar për korrupsion në zgjedhje, lihet në burg specialisti i Kadastrës

I akuzuar për korrupsion në zgjedhje, lihet në burg specialisti i Kadastrës

Dritan Stoka zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës, do të qëndrojë nën masën e sigurimit arrest në burg pa afat. Ky ka qenë vendimi që ka marrë Gjykata e Posaçme. Togat e zeza kanë ndryshuar masën e sigurisë për 2 persona të tjerë nën hetim.

Gjykata e Posaçme liroi nga qelia kryeplakun e lagjes se re në Sauk Agim Osmanin, ndaj të cilit u caktua masa e “Arrestit të shtëpisë”. Alqi Hajdini ish-jurist i Kadastrës, dhe sekseri Ylli Baruti do të hetohen me masën e sigurisë detyrim paraqitje.

Masat e sigurimit kanë ndryshuar nga gjykata për shkak të problemeve shëndetësore të personave të dyshuar dhe argumentave të dhënë nga mbrojta. 4 të dyshuarit nuk kanë dhënë shpjegime para gjykatës.

SPAK thotë se Stoka në bashkëpunim me kryeplakun e fshatit, Agim Osmanin gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 30 qeshorit të 2019 kanë kërkuar nga persona të ndryshëm lista votuesish dhe i orientonin si të votojnë duke u premtuar qëndrim në punë, ose nxjerrje të lejeve për ndërtimet informale në Sauk. Në atë kohë opozita kishte djegur mandatet dhe nuk mori pjesë në zgjedhje.

Gjatë hetimeve me metoda speciale SPAK ka zbuluar se në kohën kur ushtronte detyrën e jurist i Aluiznit, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti, në rolin e sekserit, kanë legalizuar 4 objekte pa leje në Sauk. SPAK thekson se ata në bashkëpunim me njëri tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, shpërblim në të holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje, të 4 qytetarëve.

Dritan Stoka dhe Agim Osmani “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Ndërsa Alqi Hajdini ish-jurist i Aluizmit dhe Ylli Baruti “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.