“Rinia në mbarë botën duhet të jetë e përgatitur për të protestuar për një kohë të gjatë për ndryshimet klimatike dhe të mos zmbrapsen nga kërkesat e tyre”, është shprehur Sipas ‘The Guardian’, aktivistja e njohur nga Suedia, 16 vjeçarja Greta Thunberg, gjatë një tubimi në Denver të Shteteve të Bashkuara.
Simboli i lëvizjes në Mbrojtje të Klimës, tha gjithashtu se ajo dhe aktivistët e tjerë që janë me të, nuk do t’iu përgjërohen atyre që janë në pushtet që të veprojnë për të mbrojtur planetin.
“Ne do t’u themi atyre se nëse këtë gjë nuk e bëjnë ata, do ta bëjmë ne. Bota është duke u zgjuar dhe ne jemi ndryshimi. Ndryshimi është duke ardhur, doni apo sdoni ju”,- tha ajo para një grumbulli të madh protestuesish.
Thunberg kritikoi liderët botërorë që nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për të luftuar ndryshimin e klimës dhe se e kanë injoruar shkencën. Ajo përsëriti pyetjen e saj të famshme, të cilën e përdori edhe gjatë fjalimit në Kombet e Bashkuara, “Si po guxoni?”
Aktivistja e njohur kishte nisur të protestonte në mënyrë individuale para kuvendit të Suedisë në gusht të vitit të kaluar. Ajo e linte mësimin një herë në javë për të protestuar kundër ndryshimit të klimës.
Protesta e saj, e quajtur “Të premtet për të ardhmen”, i ka motivuar miliona njerëz në mbarë botën që të protestojnë dhe të kërkojnë më shumë masa kundër ngrohjes globale, shkruan “The Guardian”.