Aktualitet Apeli lë në qeli dy nga dhunuesit e avokatit Sokol Mëngjesi

Apeli lë në qeli dy nga dhunuesit e avokatit Sokol Mëngjesi

Gjykata e Apelit ka lënë në qeli Dritan Nanon dhe Dorian Alian, si dy nga autorët e dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi në Tiranë rreth një muaj më parë.

I pari dyshohet nga hetuesit si personi që ka kërkuar dhe organizuar dhunimin e avokatit dhe i dyti si një nga personat që ka vepruar në terren duke e goditur atë me grushte dhe përforcues grushti bashkë me 3 të tjerë të shpallur në kërkim.

Më herët, ata kanë mohuar të kishin planifikuar sulmin fizik ndaj avokatit, teksa Alia tha se nuk kanë shkuar aty me këtë qëllim.

Ndaj Nanos, Alias dhe 3 të shpallurve në kërkim si bashkëpunëtorë në dhunën ndaj avokatit, rëndojnë veprat penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit”, të kryera në bashkëpunim.

Policia e Tiranës ka vijuar me kërkimet në Tiranë dhe disa qytete të tjerë për 3 të arratisurit, por ende nuk është bërë i mundur lokalizimi i tyre.

Ndërkohë avokati Mëngjesi e ka kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.