Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shpërndarë një lajmërim të rëndësishëm për të gjithë atë qytetarë, të cilët kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane. Pas vendimit të DASH për shtyrjen e afatit të publikimit të përgjigjeve deri në qershor, ambasada siguron aplikuesit se kjo shtyrje, nuk do të ketë pasoja për administrimin e përgjigjeve.
Sipas ambasadës, shtyrja e afatit për përgjigjen deri më 6 qershor ka ardhur për shkak të pandemisë globale të COVID-19.
“Departamenti është duke e vonuar hapjen e kontrollit të statusit të regjistruesit për DV-2021, deri në datën 6 qershor 2020. Ky ndryshim është për shkak të përgjigjes tonë në lidhje me pandeminë COVID-19, e cila nuk do të ketë ndonjë impakt negativ në administrimin e DV-2021”, thekson ambasada.
Ambasada shpjegon më tej hapat që duhet të ndjekin aplikuesit për të parë nëse janë përzgjedhur apo jo për Lotarinë Amerikane.
“Për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2021 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të E-DV-së. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten e tyre dhe anëtarët e familjes së tyre. Të përzgjedhurit do të mund të mësojnë datën e tyre të intervistës për vizë duke hyrë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve”, thuhet më tej.