Ata e quajnë veten palestinezë izraelitë dhe Izraeli i quan arabë. Kriza e re e Lindjes së Mesme ka rikthyer nën lupë pasardhësit e palestinezëve që mbetën në territorin e shtetit hebre të sapoformuar, raporton AFP.
Izraeli ka rreth 1.8 milion arabë – myslimanë dhe të krishterë – të cilët përbëjnë 20 përqind të popullsisë së tij, tregojnë statistikat zyrtare.
Aktgjykimi i vitit 2000
Pasardhësit e 160,000 palestinezëve që qëndruan në shtëpitë e tyre pas shpalljes së shtetit të Izraelit në 1948 kanë të drejtë vote dhe u garantohen 12 nga 120 vendet në Parlament.
Por në historinë 70-vjeçare të Izraelit, asnjë parti arabe nuk ka qenë pjesë e qeverisë.
Përkundër bashkatdhetarëve të tyre hebrenj, arabët izraelitë nuk shërbejnë në ushtri. Gjysma e tyre jetojnë nën kufirin e varfërisë, krahasuar me vetëm një të pestën e hebrenjve të varfër, sipas Rrjetit Evropian të të Drejtave të Njeriut.
Shkalla e papunësisë së arabëve izraelitë është dy herë më e lartë se e hebrenjve dhe ajo e grave arabe është tre herë më e lartë se e hebrenjve.
Shumica e qyteteve arabe në Izrael gjithashtu marrin shumë më pak fonde publike për zhvillim sesa komunitetet hebreje.
Në një vendim kryesor në vitin 2000, Gjykata e Lartë e Izraelit pranoi se pakica arabe ishte një viktimë e diskriminimit, veçanërisht në tregun e punës.
Dy fronte
Shkallëzimi i fundit i konfliktit izraelito-palestinez është përhapur edhe në Izrael, në qytete me një popullsi të përzier.
“Ne kemi protestuar për dekada, duke thirrur ‘Palestinë’, ‘Gaza’, ‘Al Aqsa’. Tani, për herë të parë, ne po bërtasim ‘Haifa’”, shkroi në Twitter Majd Kayyal, një aktivist arabo-izraelit që jeton në qytetin port veriperëndimor.
“Haifa po ngrihet për të mbrojtur veten dhe Lodin, Jafën, Gazën dhe Jeruzalemin: kjo është një intifada e unitetit,” shtoi ai.
Në qytetin industrial të Lod, ku arabët përbëjnë 40 përqind të popullsisë, një arab 32-vjeçar u vra këtë javë dhe dyshohen nacionalistë hebrenj.
Këtë javë, Izraeli po përballet me konflikte në dy fronte – trazira midis arabëve dhe hebrenjve në rrugët e tij dhe një shkëmbim zjarri me Hamasin nga Rripi i Gazës.