Nga Çapajev Gjokutaj
Pohimi që përcjell titulli hasi këto ditë një qendrim të fortë mohues. Arba vërtetë ka kombësi shqiptare, thoshin tjetërmendësit, vërtetë është lindur në Shqipëri, madje foshnjërinë dhe një pjesë të fëmijërisë i ka kaluar këtu por, si politikane dhe tani si deputete, është dukuri suedeze.
E megjithatë parë hollë Arba, duke qenë dukuri suedeze dhe europiane, është edhe dukuri shqiptare. Natyrisht jo thjeshtë pse në dejet e saj ka gjak arbëror, jo dhe jo se në identitetin e saj etnik mbakërka esencë pellazgo – iliro – shqiptare, por sepse vjen si lajmëtare shpresëplotë e integrimit të emigrantëve tanë në BE.
Dhe Arba s’është vetëm. Në Greqi, Itali, Belgjikë e gjetkë pati edhe shqiptarë të tjerë që garuan për Parlamentin Europian. Natyrisht që u përfshinë në lista për meritat e tyre individuale. Por shumicën e herëve u përzgjodhën edhe për të tërhequr votën e emigrantëve shqiptarë që tashmë kanë marrë shtetësi në vendet europiane ku garuan. Suksesi i tyre vështirë se shpjegohet bindshë pa llogaritur ekzistencën e emigracionit shqiptar.
Në këtë çerek shekulli tranzicion gati një e treta e popullsisë sonë ka emigruar. Me punë e djersë kanë ndërtuar jashtë jetën e vet dhe të fëmijëve të tyre, kanë ngritur aktivitete dhe biznese, ndaj dhe një pjesë përherë e më e madhe po integrohen përditë e më natyrshëm në vendet pritëse.
Lajmi i gëzuar se një bijë shqiptarësh do shkojë në Parlamentin Europian, kurse një dyzinë syresh ishin kandidatë, dëshmon jo vetëm se një e treta e popullsisë shqiptare, që ka emigruar, po integrohet në BE dhe gjetkë, por njëkohësisht dëshmon se bashkëatdhetarët po hyjnë edhe në elita përditë dhe më me duk.
Diasporat janë thesare burimesh njerëzore për vendet ku emigrojnë. Por përvojat e italjanëve, grekëve, polakëve, armenëve etj. dëshojnë se diasporat mund të bëhen thesar dhe burim të mirash edhe për vendet amë. Mjafton që këto të fundit të ndërtojnë politika të zgjuara dhe largpamëse për t’i mbajtur hapur urat e bashkëpunimit emigracion – mëmëdhe.
Natyrisht që kjo s’bëhet vetëm me retorikë folklorike për gjakun e përbashkët, as me mburrje bosh për aftësitë e genit shqiptar. Bëhet duke kërkuar dhe gjetur rrugë bashkëpunimi për integrime mbarëshqiptare, dmth mes dy shteteve shqiptare, mes faktorit shqiptar në Ballkan dhe më gjerë, mes shteteve amë dhe emigracionit etj. Këto japin fryte kur nuk mbeten në rrafshin e retorikës dhe të aktiviteteve solemne, por sendërtohen në rrafshe ekonomike, arsimore, shkencore, përvojash, njohurish etj.
Duket se zhvillimet gjeopolitike po sjellin erëra të mbara për faktorin shqiptar në Ballkan. Sa më shumë të afrohemi e integrohemi me aleatët perëndimorë, por edhe me njeri – tjetrin, aq më të aftë do të jemi të përfitojmë nga këto erëra të favorshme.