Arben Frroku, i fajësuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në shkurt 2013, i shpëton burgimit të përjetshëm. Një gjykatë holandeze vendosi të njohë dënimin e dhënë në Shqipëri ndaj tij, duke e ndryshuar masën e dënimit nga i përjetshëm në 18 vjet heqje lirie.
Frroku kërkoi njohje të dënimit shqiptar, pasi pala holandeze refuzoi kërkesën e tij për ekstradim në Shqipëri. Për shkak të kohës së gjatë të paraburgimit, pjesa më e madhe e dënimit prej 18 vitesh burg është konsumuar.
Frroku është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda për vrasjen e Komisar Dritan Lamajt në vitin 2013.
Arben Frroku u arrestua fillimisht në Greqi, vetëm pak kohë pas ngjarjes. Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli të pafajshëm dhe pas këtij vendimi ai u largua nga Shqipëria, por Apeli e dënoi me burgim të përjetshëm.
Arben Frroku qëndroi në Holandë, ku u arrestua me dokumente të falsifikuara greke. Rekursi i bërë nga avokatët e tij nuk u pranua nga Gjykata e Krimeve të Rënda duke lënë në fuqi vendimin.