Ekonomi Arben Malaj drejt shkarkimit nga bordi drejtues i Bankës së Shqipërisë

Arben Malaj drejt shkarkimit nga bordi drejtues i Bankës së Shqipërisë

Grupi parlamentet i Partisë Socialiste ka mbledhur pasditen e të hënës 20 firma për shkarkimin e Arben Malajt si anëtar i bordit të Bankës së Shqipërisë.

Qëndrimet e fundit publike të Arben Malajt konsiderohen nga mazhoranca si shkelje të etikës të detyrës që mban.

Gjatë muajve të fundit Malaj përmes komenteve të shumta në rrjetet sociale ka shprehur kritika të hapura se si qeveria trajton çështjet ekonomike. Me sa duket të tilla komente e qëndrime janë shkaku kësaj përplasje mes maxhorancës dhe Arben Malajt.

Malaj, ish-deputet i PS-së dhe ish-ministër i Financave, u propozua për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së nga disa deputetë të Partisë Socialiste.

Malaj u votua me 107 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim për të qenë pjesë e bordit drejtues të BKSH.

Ai zëvendësoi në këtë post Ermelinda Meksin, e cila në shkurt të 2016 dha dorëheqjen.

Në një prej qëndrimeve të bëra publike në Facebook Arben Malaj është përplasur me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.