Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbri Garden” kërkoi sot nga salla e gjyqit që përfaqësues të ambasadës amerikane dhe gjermane të jenë të pranishëm në procesin ndaj tij.
Duke sjellë në vëmendje deklaratat e ish-ambasadorit amerikan, Donald Lu, që e konsideroi “peshk të madh”, Çekaj u shpreh se kërkonte të ishin të pranishëm për të parë që “gjyqi është farsë”.
“Drejtuesi i ambasadës amerikane më ka konsideruar peshk të madh, duke iu referuar të dhënave të prokurorisë. Kërkoj që e nderuara ambasadë të jetë e pranishme për të kuptuar se kush është peshk i madh dhe kush jo. Kush merret me kokainë, e kush me banane. Meqë kanë investuar shumë në SPAK”, është shprehur Çekaj.
Seanca e sotme ku pritej të lexohej mbrojtja dhe jepej vendimi, u shty më 19 shkurt për shkak të mungesës së avokatëve të Armando Pezakut.
Arbër Çekaj akuzohet për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë që u zbulua në magazinat e kompanisë së tij Arbri Garden në Maminas, ndërsa për rreth një vit u mbajt i arrestuar në Gjermani, dhe u ekstradua nga Gjermania drejt Shqipërisë më 19 shtator.