Sport Argjentina fiton Copa America, Messi: Kam ëndërruar gjatë për këtë moment

Argjentina fiton Copa America, Messi: Kam ëndërruar gjatë për këtë moment

Messi siguron trofeun e parë me Kombëtaren: “E ndjeja që Zoti e kishte ruajtur këtë sukses për ne pikërisht ndaj Brazilit dhe në shtëpinë e tyre, në Brazil”

Argjentina është fituesja e Copa America. Në finalen me Brazilin vendosi goli i Di Maria në minutën e 21’ të takimit.

Rivaliteti mes këtyre dy kombëtareve është i njohur dhe ndeshja e vlefshme për trofeun ishte një tregues i qarte i ambicieve për titull. Tensioni, përplasjet dhe kartonet nuk munguan.

Ky është ndoshta trofeu më i çmuar për Lionel Messin. I kishte shkuar shumë pranë herë tjetër, por tashmë e fitoi madje dhe me shiritin e kapitenit.

Kapiteni fitoi gjithashtu edhe dy çmime individuale. Ai u shpall golashënuesi më i mirë i turneut dhe lojtari më i mirë i këtij edicioni të Kupës së Amerikës.

Messi: Kam ëndërruar për këtë moment

Lionel Messi ia del më në fund të përmbushë misionin e tij për të fituar një trofe të rëndësishëm me kombëtaren argjentinase. U deshën plot 5 finale të luajtura dhe më në fund Argjentina ia doli të fitojë me rezultatin minimal 1-0, duke bërë që flamuri argjentinas të ngjitet lart në “Maracana”-në legjendare.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Messi doli në një konferencë për shtyp, ku foli për rëndësinë e këtij triumfoi dhe ndau emocionet që përjetonte pas një suksesi të tillë.

“Lumturia që ndjej sot nuk mund të përshkruhet. Kam ëndërruar shumë herë për këtë moment. Akoma nuk na besohet që jemi kampionë. Akoma nuk mund ta besojmë atë që kemi arritur sot”, tha Messi, duke u munduar të mbajë lotët e gëzimit.

Nuk mungoi as një mirënjohje ndaj shokëve të tij të skuadrës, pasi 6 herë fituesi i topit të artë pranoi se Argjentina është shumë e fortë dhe tha se suksesi bëhet edhe më i bukur për faktin se u arrit ndaj Brazilit dhe në Brazil.

“Që në edicionin e fundit të Copa America-s, u pa që kjo skuadër ishte shumë e fortë dhe e motivuar. Disa finale i kemi humbur, por e dija që do të vinte edhe ky moment. E ndjeja që Zoti e kishte ruajtur këtë sukses për ne pikërisht ndaj Brazilit dhe në shtëpinë e tyre, në Brazil”, deklaroi ylli argjentinas.

Barra e mungesës së titujve me përfaqësuesen i ka peshuar jo pak Lionel Messit, që zbulon se shumë herë ka shkuar me pushime i dëshpëruar, por këtë herë do të jetë ndryshe, pasi do të marrë me vete kujtimet e një trofeu të fituar me meritë.

“Kur mbaroi ndeshja, mendova për familjen time. Shumë herë kur dështonim, shkoja me pushime dhe ditët e para i kaloja në dëshpërim, por këtë herë do të jetë ndryshe. Kjo ndeshje do të mbetet në histori, jo vetëm sepse fituam, por edhe sepse mundëm Brazilin në shtëpinë e tij”, u shpreh Messi.