Kandidati i qendrës së majtë në opozitë, Alberto Fernandez do të jetë Presidenti i ri i Argjentinës pas një votimi të dominuar nga shqetësimet ekonomike.
Fernandez siguroi më shumë se 45% të votave të nevojshme për fitore duke mundur Presidentin në largim Mauricio Macri. Turma entuziaste njerëzish u mblodhën në selinë e partisë së Fernandez për të festuar rezultatin.
“Ne do ta rindërtojmë Argjentinën ashtu siç e ëndërrojmë të gjithë. Cilët do të jenë kundërshtarët tanë në 4 vitet e ardhshme, duhet të jenë të vetëdijshëm se si e kemi gjetur vendin dhe duhet të na ndihmojmë ta rindërtojmë ketë vend nga hiri”, tha Fernandez.
Macri pranoi humbjen mbrëmjen e së dielës dhe premtoi të bashkëpunonte me pasardhësin e tij: “Dua të përgëzoj presidentin e zgjedhur Alberto Fernandez, sapo fola me të. E ftova të bisedojmë lidhur me periudhën e tranzicionit”.
Me më shumë se 90% të votave të numëruara, Fernandez ka siguruar 47,79 kundrejt 40,71 të Macri. Për të fituar që në raundin e parë, një kandidati i duhet të tejkalojë 45%.
Votimi u dominua nga shqetësimet për ekonominë. Me gati 1 në 3 njerëz që jetojnë në varfëri, votuesit mbështetën kandidatin që menduan se ishte më i përshtatshëm për ta nxjerrë vendin nga kriza. Macri premtoi zero varfëri pas fitores 4 vite më parë, por gjërat u përkeqësuan nën drejtimin e tij.