Ekonomi Ari në nivele rekord pas tensioneve kino-amerikane

Ari në nivele rekord pas tensioneve kino-amerikane

Çmimi i arit arriti sot rekorde të reja, në mes të tensionit pandemik të koronavirusit dhe tensioneve gjeopolitike midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

”Çmimi i arit u rrit në 68,5 dollarë për gram, krahasuar me 66,1 të mërkurën”, sipas kompanisë ”Tanaka Holdings” në Tokio, që tregton produkte të metaleve të çmuara.

Tregjet financiare në Japoni u mbyllën të enjten dhe të premten për shkak të festave kombëtare.

”Përveç pasigurisë së vazhdueshme globale ekonomike në mes të pandemisë, tensionet e përtërira midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkaktuan rritje drejt pasurive të sigurta si ari”, thanë analistët.

”Konsullata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Chengdu të Kinës u mbyll zyrtarisht sot në mëngjes për të përmbushur afatin e evakuimit të vendosur nga autoritetet kineze”, njoftojnë mediet shtetërore.

Më 24 korrik, autoritetet kineze urdhëruan konsullatën që të ndalonte të gjitha aktivitetet, duke u dhënë atyre tre ditë që të mbylleshin, si hakmarrje për mbylljen e konsullatës së Kinës në qytetin teksan të Hjustonit, javën e kaluar.