Politika SHBA-BE: Ndryshimet kushtetuese, në frymën e 5 Qershorit

SHBA-BE: Ndryshimet kushtetuese, në frymën e 5 Qershorit

Tre ditë nga mbajtja e seancës plenare ku pritet të votohen ndryshimet kushtetuese, ambasadorja amerikane, Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, kanë zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama.

Takimi është zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë dhe ai ka zgjatur më shumë se 1 orë, ndërsa Ambasada Amerikane në Tiranë bën të ditur se “Ambasadorja Kim e falenderoi Kryeministrin për udhëheqësinë e tij në sigurimin e miratimit të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe mirëpriti vazhdimin e diskutimeve të ndërsjella në Këshillin Politik në lidhje me masat shtesë.

“Siç kemi thënë publikisht, Ambasadorja theksoi rëndësinë që të gjitha palët të marrin pjesë në mirëbesim, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane lidhur me këtë takim.

Ndërsa përfaqësia e BE-së në vendin tonë bën të ditur se ambasadori Soreca falenderoi Kryeministrin për angazhimin e tij në miratimin e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe e ftoi atë që të punojë me shpejtësi për zbatimin e saj. Në të njëjtën kohë, ai mirëpriti vazhdimin e diskutimeve në Këshillin Politik në lidhje me ndryshimet shtesë, për të respektuar frymën dhe rezultatet e 5 Qershorit. Gjithëpërfshirja është thelbësore kur bëhet fjalë për çështjet elektorale.