Sport Arkitekti i Ajaksit/ Kush është Ten Hag, trajneri që jeton mbi një...

Arkitekti i Ajaksit/ Kush është Ten Hag, trajneri që jeton mbi një supermarket

Trajneri që eliminoi “Zonjën e Vjetër” nga Champions-i jeton në një apartament të vogël mbi një supermarket në qytetin e Amsterdamit.

Holandezi është një njeri i qetë dhe nuk njihej në Europë edhe pse luante në Holandë si lojtar profesionist. Suksesi që po korr me lojtarët e talentuar të Ajaksit i ka ndryshuar jetën për sa i përket anës profesionale. Ai shpreson të fitojë Champions-in, një trofe që mungon në klub prej 24 vitesh. Ai është një golfist me një zë të hollë dhe të lartë. Arritjet e fundit i kanë dhënë atij një titull tjetër, “Mjeshtri”.

IKONAT E AJAKSIT

Në zyrën e tij modeste në qendrën e klubit holandez, ai mban fotografi të Johan Krojf, Rinus Mshels dhe Luis Van Gal. Shanset që ai të sjellë Kupën me veshë të mëdha në Amsterdam, i pari pas Van Galit në 1995-ën, janë rritur ndjeshëm. Ky do të ishte një hap i madh pas një epoke të vështirë financiare të klubit holandez, i cili ka në koleksionin e trofeve katër Champions. Por si arriti një ish-qendërmbrojtës nga një zonë rurale e Tuentes të transformonte të ardhmen e tij? Rruga e tij si trajner ka një zanafillë të gjatë. Pasi i dha fund karrierës së tij si futbollist në 2013-ën, ai vendosi të ndjekë rrugën si trajner jashtë vendit. Te Bajerni i Mynihut nisi edhe kthesa në karrierën e tij si trajner, teksa shihte Pep Guardiolën të revoluciononte futbollin në Gjermani me stilin unik të tij. “Çdo ditë shkoj në punë me të, mezi pres. Ai më inspiron shumë”, shprehej dikur Ten Hag për trajnerin spanjoll. Dhe mënyra se si ai stërvit, i fiksuar pas detajeve tregon edhe modelin që ka ndjekur duke mësuar nga Pep. Ai përqendrohet shumë te karakteri i lojtarëve të tij. Ten Hag mban shënim reagimet e çdo lojtari pasi ata bëjnë një gabim të vogël, një pasim i humbur apo një faull të shkaktuar. Pas kësaj ai punon për të përgatitur skuadrën në anën psikologjike në varësi të kundërshtarit. Përpara se të merrte drejtimin e Ajaksit, ai ndiqte pikërisht këto teknika për të udhëhequr skuadrën e Utrehtit drejt Ligës së Europës.

KULTIVIMI I TALENTEVE

Ten Hag ishte një goditje për klubin e Ajaksit, pasi kishte dhuntinë për të kthyer lojtarët e talentuar në yje. Frenki de Jong (21) do t’i bashkohet Barcelonës në verë për 65 milionë paund dhe Matijas de Ligt (19) që shënoi golin e fitores në Torino duke i dhuruar kualifikimin për në gjysmëfinale skuadrës së tij, me shumë mundësi do t’i bashkohet shokut të tij.

AJAKSI GATI TA BLINDOJË

Sigurisht kur bën një paraqitje të tillë në arenën ndërkombëtare, interesi nga klubet e tjera është i madh. Suksesi i tij nuk mund të injorohet nga klubet me histori. Në fund të sezonit ai mund të vihet në shënjestër nga shumë skuadra që duan të kenë shërbimet e tij. Por klubi i Ajaksit mendohet t’i ofrojë atij një kontratë të re me më shumë para. Kjo pasi holandezët janë të kënaqur me punën e tij dhe duan të zgjasin bashkëpunimin me të.