Mbi 200 milionë dokumente arkivore, për shqiptarët dhe historinë e shtetit shqiptar, janë lehtësisht të qasshme me anë të sistemit të digjitalizimit të dokumenteve arkivore.
Pas hapjes së sallës së re të leximit, çdokush mund të pajiset me një kartë përdorimi, sipas kategorive, gjë që iu mundëson edhe qasjen mbi dokumentet.
Nga ana tjetër mund të bëjmë edhe porosi “online”.
Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjitshme të Arkivave zgjedhim opsionin Arkivi Qendror Shtetëror; zgjedhim vitin përkatës; vendosim të dhënat e profilit tonë; më pas përzgjedhim kategorinë, në shembullin tonë, fondet e institucioneve qendrore para vitit 1944, apo fondin personal të Aleksandër Xhuvanit; përcaktojmë vitin dhe dosjen përkatëse.
Në momentin që kemi plotësuar kërkesën tonë dalin dy kategori: “Porosit falas” për sallën e studimit, ose “Bli Online”. Në rast se duam ta kemi këtë dokument për sallën e studimit, në kalendar zgjedhim datën më të afërt.
“Ndërkohë që studiuesi paraqitet në sallën e studimit, me kartën individuale që është pajisur në momentin që bën hyrjen te dera. Ka porositur në të njëjtën kohë nga zyra, nga salla fondin personal të Aleksandër Xhuvanit, që është në këtë rast. Me kartën individuale hyn te kompjuteri i vet. Ndërkohë që bën përzgjedhjen e dosjeve që ka porositur dhe digjitalizimi bëhët kur kërkesa vjen nga studiuesi”, tha Elsa Saka.
Përveç sallës së leximit, e cila është tashmë funksionale për çdo studiues të cilit i nevojiten dokumente, ata mund t’i kenë nëpërmjet shërbimit “online”, vetëm nëpërmjet një karte krediti, pa qenë nevoja që të paraqiten fizikisht.