Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë ka reaguar pas arrestimeve të disa arkitektëve për pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit, duke i konsideruar si të papranueshme.
Shoqata thotë se ligji përcakton se arkitekti nuk ka kompetenca profesionale dhe ligjore, që lidhen me hartimin e projektit konstruktiv të ndërtesës dhe për rrjedhojë nuk mund të ngarkohet me asnjë përgjegjësi ligjore për qëndrueshmërinë statike dhe sizmike tërësore apo pjesëve të veçanta të saj.
Në një shkresë drejtuar Prokurorisë dhe institucioneve gjyqësore thuhet se përgjegjësitë nuk mund të nxirren vetëm nga akti i konstatimit, por duhet pritur edhe akti i ekspertimit.
Arkitektët thonë se është pikërisht kjo fazë që ndan qartë përgjegjësitë teknike dhe ligjore të secilit aktor në procesin e ndërtimit, por në asnjë rast dëmet fizike të godinës, nuk kanë lidhje me profesionin e arkitektit.