Anëtari i Kryesisë së PD-së së Rithemelimit, Belind Këlliçi, ka bërë një lidhje mes kohës së publikimit të fakteve nga Gazment Bardhi ku akuzonte Olsi Ramën se ishte i lidhur me laboratorin e drogës në Xibrakë dhe aksionit pak orë më vonë të SPAK ndaj disa zyrtarëve të bashkisë Tiranë, bashkëpunëtorë të Erion Veliajt, madje disa prej tyre edhe pjesë e ekipit të fushatës së zgjedhjeve vendore.
“Në 24 orët e fundit, jeni bërë dëshmitarë të një përplasje të egër mes dy organizatave kriminale më të mëdha në vend, organizata kriminale e kryeministrisë dhe ajo e bashkisë Tiranë.
Menjëherë pasi banda mediatike e bashkisë nisi të pomponte lajmin e denoncimit të përfshirjes së Olsi Ramës në laboratorin e kokainës në Xibrakë, Edi Rama u kundërpërgjigj me një rrufe ‘5D’ mbi Bashkinë Tiranë.
Arrestimet dhe masat e sigurisë të dhëna ditën e djeshme për 5 drejtorët e bashkisë Tiranë, përkatësisht famozi Mariglen Qato, Redjan Molla, Enton Punavija, Eglantina Zëre dhe Deborah Keçi, janë maja e ajsbergut dhe një formë e Erion Velisë për të goditur bashkëpunëtorët në krim dhe për të shpëtuar lëkuren e tij.
I kujtoj SPAK-ut se brenda kallëzimeve të mia për bashkinë Tiranë, gjenden emrat e drejtorëve të tjerë famozë të bashkisë, përkatësisht: Elton Kacidhja, Elvin Tivari, Herion Rrapaj, Ermal Kapllanaj, Arben Maloku dhe Alban Dokushi, drejtori famoz i zhdukjes së pronave publike në bashki, i lidhur ngushtësisht me ndërtuesin po aq famoz të 7 kateve pa leje në mes të Tiranës, Armand Lilon.
Të gjithë drejtorët e bashkisë Tiranë të burgosur deri më tani si dhe pjesa tjetër që është në pritje të akomodimit në qeli, janë shtabi elektoral i Erion Veliajt në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Këta individë, pa asnjë përjashtim, janë personat të cilët përmes terrorit, shantazhit, presionit të hapur, blerjes së votave me paratë e korrupsionit bashkiak, kanë tjetërsuar vullnetin e qytetarëve të Tiranës”, tha Këlliçi për mediat.