Aktualitet Arrestimi i Ilir Selmanit, policia jep detajet zyrtare

Arrestimi i Ilir Selmanit, policia jep detajet zyrtare

Policia e Tiranës ka dhënë detaje për arrestimin e Ilir Selmanit sot në Tiranë, i cili është autori i dyshuari i vrasjes së ish policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019.

Operacioni u krye nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Selmanit, në momentin e kapjes nga Policia, i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

NJOFTIMI I PLOTE

Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurmimi”, për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.

Operacioni, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Finalizimi i operacionit, pas një pune disajavore, me metoda speciale të hetimit.

Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit S. M., ndodhur në gusht të vitit 2019.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit, gjatë mesditës së sotme kanë finalizuar operacionin të koduar “Gjurmimi”, në kuadër të të cilit, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në rrugën “Endri Keko”, u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit Ilir Selmani, 35 vjeç, banues në Tiranë.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Shtetasit Ilir Selmani, në momentin e kapjes nga Policia, i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak.

Ky shtetas është një nga personat e dyshuar të ngjarjes së ndodhur me datë 27.08.2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri shtetasi S. M.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe aktivitetit kriminal të shtetasit Ilir Selmani.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.