Aktualitet Arrestimi i ish-drejtoreshës së Kadastrës, SPAK: Pastronte paratë e dy vëllezërve të...

Arrestimi i ish-drejtoreshës së Kadastrës, SPAK: Pastronte paratë e dy vëllezërve të dënuar në Belgjikë për trafik droge

Kadastra e Durresit

Prokuroria e Posaçme ka dhënë informacion zyrtar për arrestimin e Rajmonda Dashit, ish-drejtoreshës së Kadastrës së Durrësit.

SPAK sqaron se Dashi akuzohet për pastrim parash e grup i strukturuar kriminal dhe ndaj saj është ekzekutuar këtë të enjte masa e arrestit në shtëpi. Ish-zyrtarja akuzohet se bashkë një tjetër person ka pastruar paratë e dy vëllezërve të dënuar në Belgjikë për trafik droge.

“Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit rezulton se shtetasit shqiptarë B. R dhe L. R (vëllezër), të dënuar nga autoritetet belge të drejtësisë për vepra penale të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti në bashkëpunim të veçantë me personat nën hetim A.M dhe Rajmonda Dashi kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Veprimet e tyre kanë konsistuar a) në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme, b) fshehjes ose mbulimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.”

Me vendim të gjykatës, policia ekzekutoi masën e arrestit në shtëpi për Dashin gjatë ditës së sotme dhe arrest me burg për personin tjetër nën hetim, A.M.

“Në kuadër të këtij hetimi është kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimi i masave të sigurimit personal shtrëngues për personat nën hetim. Gjykata me vendimin nr. 114, datë 24.10.2023 ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga nenet 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasit B.R; L.R: A.M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal dhe masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasen Rajmonda Dashi, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datën 26.10.2023 masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata ndaj shtetasve A.M. dhe Rajmonda Dashi.”

Në kuadër të këtij hetimi, autoritetet sekuestruan po ashtu disa pasuri.

“Gjithashtu gjatë hetimit janë identifikuar pasuritë dhe veprimet juridike të kryera mbi këto pasuri, ku është kërkuar sekuestrimi i pasurisë sipas ligjit Nr. 10 192, datë 3.12.2009, i ndryshuar, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 29, datë 23.10.2023 ka vendosur sekuestrimin për pasuritë e mëposhtme: 12 (dymbëdhjetë) apartamente në qytetin e Fierit; 4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës; 3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës; 27 (njëzetë e shtatë) llogari bankare; Një shoqëri tregtare; 2 (dy) automjete; Hetimi vazhdon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe identifikimi i pasurive të tjera”.

Në njoftimin për mediat, Prokuroria e Posaçme sqaron se hetimet nisën mbi bazën e akteve të dërguara nga Belgjika.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi bazën e akteve te dërguara nga autoritetet e Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës ka regjistruar procedimin penal nr. 18, të vitit 2023, për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.”

Dashi u arrestua nga oficerët e policisë në vendin e punës, ndërsa autoritetet i sekuestruan asaj edhe telefonin celular. Aktualisht ajo mësohet se punonte në Drejtorinë e Kadastrës së Kamzës dhe Vorës. Rajmonda Dashi u largua nga posti i drejtoreshës së Kadastrës së Durrësit në Dhjetor të 2021.