Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri reagoi dhe për akuzat e opozitës në lidhje me takimet që ka pasur kryeministri Edi Rama me zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal që është arrestuar së fundmi nga autoritetet amerikane.
Sipas Gjiknurit, kjo është një përpjekje e opozitës për të hequr vëmendjen nga provat e reja që kanë dalë për 21 janarin, ndërkohë që u shpreh se akuzat për ish-zyrtarin e FBI janë shumë të qarta.
“Nisur nga atë që kemi lexuar nga dokumentet e drejtësisë amerikanë, i thotë të gjitha. Kjo është një tymnajë e opozitës për të hequr vëmendjen nga provat e reja që kanë dalë për 21 janarin. Nuk ka krim më të madh se vrasja e qytetarëve të pafajshëm. Mendoj se drejtësia amerikane ka zbardhur atë çështje. E para, zyrtari i lartë i FBI ka qenë njeri i rëndësishëm dhe akuzohet për lidhje me pagesa të një oligarku rus dhe nuk ka lidhje me Shqipërinë. Ai ka thyer etikën profesionale për shkak të kontakteve që ka pasur. Rasti i Nick Muzin i është nënshtruar drejtësisë amerikane ku etiketohet se PD ka përfituar para ruse, deri sa ky fakt u fut në raportet e DASH. Problemi nuk ka të bëjë me takimet që ka bërë ai jashtë vendit”, tha Gjiknuri.
Sakaq, Gjiknuri njoftoi se PS-ja do të depozitojë sot në SPAK një kallëzim penal ndaj shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi për kryerjen e veprave penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese referuar ngjarjes tragjike të 21 janarit të vitit 2011.
“Një provë e re hedh dritë mbi vrasjen shtetërore të 4 qytetarëve të pafajshëm nga armët e pushtetit të Sali Berishës. PS do të depozitojë sot në Prokurorinë e Posaçme të Korrupsionit dhe të Krimit të Organizuar një kallëzim penal ndaj shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi për kryerjen e veprave penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese referuar ngjarjes tragjike të 21 janarit të vitit 2011.
Dialogjet e bëra publike mes ekzekutorëve e tregojnë qartë se vrasjet e urdhëruan nga lartë dhe u përgatitën me një gjakftohtësi kriminale. Ne e kemi drejtuar gishtin te Sali Berisha në atë kohë. Të gjithë e dinin se kush ishin vrasësit, por drejtësia në atë kohë nuk e hetoi. Edhe drejtësia e re është treguar deri tani e pafuqishme për të hequr pluhurin e harresës mbi këtë dosje. Prova e re e bërë publike përmban të dhëna mbi fakte të reja që nuk i janë nënshtruar hetimeve të mëparshme. Janë dhënë urdhra për të shtëna me armë zjarri ndaj protestuesve të pafajshëm. Faktohet me audio se vrasjet janë kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe jo nga pakujdesia”, tha Gjiknuri.