Nga ballkoni i apartamentit të tij ku po qëndron në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, Sali Berisha ka komentuar këtë të diel arrestimin e kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro, i cili u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK.
Sali Berisha u shpreh se “Jorgo Goro është kurbani i Olta Xhaçkës, sepse Goro nuk bëri gjë tjetër veç se regjistroi tokën e falsifikuar të investitorit strategjik burrë i Xhaçkës”.
“Sot Edi Rama urdhëroi burgosjen e Jorgo Goros. Ju them unë, nuk ka rilindas që nuk vjedh, por Jorgo Goro është kurbani i Olta Xhaçkës, sepse Goro nuk bëri gjë tjetër veç se regjistroi tokën e falsifikuar të investitorit strategjik burrë i Olta Xhaçkës. Edi Rama, Oltën e mban në parlament. Natyrisht është aksioner në investimin stratetegjik të burrit të saj dhe asaj. Dhe për këtë na bind duke arrestuar Goron se ka regjistruar pronat e saj. Të dashur miq! Edi Rama përdor drejtësinë tërësisht në interesat e tij personale, shkatërron marrëdhëniet me një vend fqinj në të cilin jetojnë rreth 1 mln shqiptarë, të integruar që kanë ndërtuar jetën dhe ëndrrën e tyre. Tani për shkak të qëndrimeve të tij ç’njerëzore, antikushtetuese, antieuropiane ngre një valë të pafavorshme për emigrantët tanë. Miqtë e mi! Edhe njëherë ju theksoj, çështja Beleri është para së gjithash çështje e shqiptarëve, sepse këtu nuk respektohen parimet universale të të drejtave të njeriut. Sepse këtu respektohet prezumimi i pafajësisë. Sepse këtu respektohet manipulimi i fakteve, sepse këtu dënohet vetëm e vetëm për të mbuluar krimet monstruoze dhe mafioze, që Edi Rama dhe klani i tij ka kryer në tokat e himariotëve, duke shitur brigjet e detit”, tha Berisha.
Mësohet se arrestimi i Goros ka ardhur pas një kallëzimi nga ana e Fredi Belerit dhe lidhet me statusin e investimit strategjik të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Punëve të Jashtme Olta Xhaçka. Sipas burimeve hetimore ndaj Goros rëndojnë dyshimet për shpërdorim detyre.