I pyetur për arrestimin e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socilaiste tha sot për mediat se kjo forcë politike nuk është zyrë avokatie për askënd.
Balla theksoi se në politikë përgjegjësitë janë personale dhe se ashtu si në rastin e arrestimit të ish-kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe, PS ka mbajtur të njëjtin qëndrim.
“Reforma në drejtësi është një prej më të rëndësishmeve që PS ka ndërmarrë gjatë qeverisjes së vet, kemi ardhur me angazhimin se do të ndryshojmë terësisht marrëdhënien e drejtësisë me çdo lloj forme pushteti me parimin se para drejtësisë të gjithë janë të barabartë. Opozita ka bërë të gjitha përpjekjet për të penguar procesin e Vettingut pasi pa të nuk do ngrihej dot SPAKU. Hidhini një sy Italisë, dhe shikoni si çdo javë apo çdo muaj ke një kryetar bashkie me raste të tilla. PS nuk është zyrë avokatie për askënd, përgjegjësinë përballë ligjit e ka secili prej tyre. Janë arrestuar nga SPAK për problemet e tyre me drejtësinë dhe për të dyja rastet PS ka mbajtur të njëjtin qëndrim, në politikë përgjegjësitë janë personale.”
Sipas Ballës, fakti që thirresh në SPAK nuk do të thotë se ke probleme me drejtësinë duke shtuar se kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi është thirrur si person që ka dijeni.
“Në SPAK janë thirrur shumë persona, edhe kryetarë bashkish, zoti Bushi është thirrur si person që ka dijeni për një çështje. Unë e përshëndes punën e deritanishme të SPAK, edhe në kuadër të detyrimeve që ka Shqipëria për anëtarësimin në BE, fakti që thirresh në SPAK nuk do të thotë se nuk kandidon dot më. Ne kemi ligjin për rastet e moskandidimit, qoftë për kryetar bashkie apo këshilla bashkiakë.”