Matteo Messina Denaro, “Kumbari i fundit”, do të paraqitet në gjykatë në L’Aquila të enjten për të apeluar dënimin e tij të përjetshëm për vrasjen e një prokurori në vitin 1992.
Arrestimi i tij, tridhjetë vjet pas dënimit, ngriti disa pikëpyetje. Edhe pse ai ishte në listën e “më të kërkuarve” të Italisë për dekada, policia nuk duhej të shkonte larg për ta gjetur.
Ai u kap në vendlindjen e tij, në Sicili, para një institucioni mjekësor ku shkonte rregullisht pa asnjë masë paraprake apo maskim të veçantë, përveç dokumenteve false.
Denaro ishte i famshëm në qytet. Policia madje gjeti fatura restoranti në shtëpinë e tij dhe dëshmitarët thonë se ai shkonte vazhdimisht në supermarket për të bërë pazare personalisht. Kështu, “Kumbari i fundit” doli nëpër qytet, por nuk u ndalua kurrë, deri më 16 janar 2023 .
Për Euronews, pedagogia e kriminologjisë dhe krimit të organizuar në Universitetin e Essex, Anna Sergi, iu përgjigj pyetjeve se si ishte e mundur diçka e tillë.
Paratë nuk mund të blejnë prestigj
“Së pari dhe më e rëndësishmja,” tha Sergi, “për disa breza mafiozësh, si Matteo Messina Denaro, njohja shoqërore është më e rëndësishme se paratë. Është një çështje krenarie. Nëse ikën dhe largohesh nga territori i origjinës, reputacioni yt të lë edhe ty. Është me të vërtetë pjesë e mënyrës së jetesës mafioze. Arratisja në Brazil ose Karaibe nuk do të ishte në përputhje me karakterin e tyre. Gjithashtu, krijimi i një rrjeti mbrojtës jashtë vendit është më i shtrenjtë dhe i ndërlikuar. Sigurisht, ata gjithmonë mund të mbështeten në shuma të mëdha parash dhe mbështetje logjistike atje, por nuk është krejtësisht njësoj”.
Një rreth vicioz pushteti dhe njohjeje shoqërore
“Kjo është arsyeja pse të gjitha sistemet kriminale mafioze duhet të krijojnë një lidhje me territorin e tyre. Ata e bëjnë këtë përmes zhvatjes dhe frikës. Ata punojnë për këtë gjithë jetën e tyre, duke gërshetuar identitetin e tyre me territorin. Njerëzit në vendlindje e dinë se kush janë ata, sepse mafia ka ndërtuar një atmosferë frike. Gjithashtu, duke hequr dorë nga territori, ata heqin dorë nga pushtet. Mendoni vetëm për tregtinë e drogës.”
A i fshehin organizatat e tjera kriminale liderët e tyre në shtëpi?
“Në disa raste, po. Më kujtohet rasti i liderit të kartelit meksikan, Nazario Moreno Gonzalez, i cili u supozua i vdekur kur, në fakt, ishte gjallë dhe në shtëpi. Ai qëndroi atje sepse ndihej i mbrojtur.”
Si shpjegohet se mafiozët italianë mund të jenë të lirë për dekada përpara se të kapen?
“Italia, më saktë Siçilia, është padyshim mbajtësi i rekordeve në këtë kuptim. Por kini parasysh se “gjuetia” e këtyre njerëzve është tepër sfiduese dhe e shtrenjtë për shtetin. Italia ka shpenzuar miliona e miliona për të. Në vende të tjera, kriminelët mund të mos zhduken plotësisht, sepse e dinë që shteti do të dorëzohet përfundimisht. Disa prej tyre gjenden të vdekur edhe para se policia të arrijë tek ata, pra rekordi i Italisë është rekord edhe për paratë e shpenzuara.”
Mafiozët e mëdhenj duket se gëzojnë një nivel të caktuar mbrojtjeje, si funksionon ai rrjet?
“Së pari duhet të kesh dikë që e di gjithmonë se ku je dhe nëse je gjallë, kjo është themelore. Pastaj ka nivele më të larta mbrojtjeje, për të parandaluar që policia të afrohet me të. Kjo përfshin pagesa të rregullta, të përsëritura që duhet të vijnë nga llogaritë bankare që vijnë nga një burim mbi të dyshuarin. Në rastin e Messina Denaro, motra e tij po ndihmonte. Në fakt, ajo u arrestua disa ditë më parë, dhe ajo ishte një lloj llogaritareje për klanin.”
A do ta zërë dikush vendin e Denaros tani që është në burg?
“Ndoshta nuk do të habitesha nëse forcat e rendit do ta kishin identifikuar tashmë atë person. Por në përgjithësi, mafia italiane ishte në krizë edhe para arrestimit të Messina Denaro. Ajo që mafia humbi me të vërtetë me arrestimin e Matteo Messina Denaro ishte morali ‘mitologjik’ i organizatës. Ata ishin krenarë që shefi i tyre kishte qenë në arrati për kaq shumë kohë.”
Kur thoni se mafia është në krizë, keni parasysh një krizë në njerëz, një krizë prestigji apo një krizë financiare?
“Të gjitha këto të kombinuara. Në vitet 1990, mafia siciliane u dëmtua keq jo vetëm nga shteti, por edhe nga veprimet e shefit të saj, Toto Rina, vizioni i të cilit, për mafian, përfundoi duke mos i sjellë përfitime organizatës.”
Në fillim të viteve 1990, Toto Rina nisi një luftë kundër shtetit, e cila çoi në disa bomba në të gjithë Italinë që morën dhjetëra jetë. Ai u përpoq të hakmerrej dhe të thyente goditjen ndaj asaj organizate, por rezultoi mbrapsht dhe u arrestua në vitin 1993. Mafia siciliane ka humbur shumë pushtet kriminal. Sot ajo nuk dominon më tregtinë e drogës dhe kur e humbi atë, humbi shumë para”.