Pesë roje bregdetare janë arrestuar nga policia e Vlorës, pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Ndalimi i tyre është bërë për shkak se ndihmuan të arratisej një prej skafistëve që po transportonte 55 klandestinë, kryesisht sirianë drejt Italisë më 8 janar të këtij viti.
Bledar Bufaj, Roland Cani, Ardit Alikaj, Sejfulla Beja e Besmir Meçe ndodheshin në kërkim që prej janarit, pasi gjykata ka caktuar arrest me burg.
Ata akuzohen nga autoritetet se bashkëpunuan me skafistin 26-vjeçar Emiljano Likaj, por në kërkim janë dhe 2 bashkëpunëtorët e tij. Në pranga gjithashtu ka rënë dhe pronari i një hoteli dhe një banesë të cilët strehuan klandestinët para se të niseshin me gomone drejt Italisë.
Gomonia me 55 emigrantë kryesisht nga Lindja e Mesme mbrëmjen e 8 janarit pësoi avari në rrethana ende të paqarta, ndërsa një telefonatë vuri në lëvizje rojën bregdetare në grykëderdhjen e lumit Vjosë pranë fshatit Poro.