Tre autorët e grabitjes që ndodhi në orët e vona të 30 Prillit në fshatin Qinam të Tiranës janë vënë në pranga.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj përmes një konference për shtyp bëri të ditur se u bë zbardhja e kësaj ngjarje.
Në pranga kanë rënë organizatori i vjedhjes 29-vjeçari J.A., dhe dy vëllezër N.B., 20 vjeç dhe D.B., 26 vjeç. 29-vjeçari u kap në fshatin Grec, ndërsa dy vëllezërit në fshatin Tapizë të Niklës.
Në cilësinë e provave materiale, autoritetet kanë sekuestruar makinën e përdorur nga autorët si dhe njërën prej armëve. Arma u gjet nga polumbarët e forcave Renea e hedhur në lumin Tapizë.
Rreth orës 23:30 të 30 Prillit të tre të rinjtë hynë të maskuar dhe armatosur duke u prezantuar si punonjës policisë në banesën e Bashkim Zajës. Nën kërcënimin e armëve pasi i lidhën pronarët, ata vodhën 40 mijë lekë të reja dhe u larguan.
Anëtarët e familjes thanë se autorët ishin të maskuar dhe u prezantuan si policë. E zonja e shtëpisë, tregoi se grabitësit i lidhën të gjithë pjesëtarët e familjes.
Ajo tha se autorët morën para dhe sende të tjera me vlerë. Sipas saj, ata kanë rënë pre e grabitjeve edhe herë të tjera.
“Isha në gjumë, del burri hap derën edhe thonë jemi policia, kontroll për armë. Edhe kapin burrin, e lidhin nga duart, e rrëzojnë përtokë. Shkojnë dhe sipër, unë s’e kam dëgjuar fare. Kapin dhe djalin sipër, e ulin poshtë. E lidhin djalin këtu. Dal këtu në derë unë shof atë me automatik, me maska, i veshur me doreza komplet. Ishte burri këtu, djali këtu. Më kapin dhe mua, më lidhin nga duart mbrapa dhe më shtrijnë në tokë. Dhe bërtisnin ‘mos lëvizni, policia’. Na kanë marrë telefona, lekë sa kanë gjetur, ç’a kanë gjetur. Burri bërtiste, i vunë dhe lidhëse në gojë. Ka qenë goca në katin e dytë, ka një fëmijë të vogël 6 vjeç. Është trembur djali. Burri punon në ndërtim privat me gjithë djalin. Ne në shtëpi. Na ka ndodhur dhe herë tjetër, jo në shtëpi, kanë marrë motorin këtu përjashta”, tha ajo për mediat.