Aktualitet I riu pranon ekstradimin në Gjermani, avokati: Në Taxhikistan i rrezikohet jeta

I riu pranon ekstradimin në Gjermani, avokati: Në Taxhikistan i rrezikohet jeta

Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë arrest me burg për Komrom Zukurov, të riun nga Taxhikistani që u arrestua për terrorizëm në Tiranë më 30 Prill. Njësoj si brenda sallës së gjyqit, avokati i tij, ish-deputeti Asllan Dogjani, pretendoi se klienti i tij është vetëdorëzuar.

“I mbrojturi për meje është dorëzuar dhe ka shkuar vetë vullnetarisht në Policinë e Shtetit sapo është informuar në mënyrë informale. Nuk ishte pasqyruar që ai ka shkuar vullnetarisht. Ai ka shkuar pa asnjë lloj presioni. Nuk e ka kërkuar askush. Policia nuk e ka ditur që ai do shkojë. A keni dëgjuar ndonjë terrorist që të dorëzohet në polici”, tha Dogjani gjatë komunikimit me gazetarët.

Dogjani u shpreh se Zukurov pret një fëmijë. Sipas tij, taxhikistanezi ka paraqitur pëlqimin e tij për t’u ekstradduar në Gjermani dhe për t’u përballur me drejtësinë atje, por me një kusht, që të mos kthehet më në vendlindje pasi i rrezikohet jeta.

Me tone të ashpra, Dogjani iu referua mediave. Ai kërkoi që të mos ekzagjerohen lajmet, pasi kur vjen puna tek një vend diktatorial si Taxhikistani, klientit të tij i rrezikohet jeta.

Për këtë tha se ka prova, pasi edhe më parë Zukurov është dhunuar.

“Do ju kërkoja të mos ekzagjeroni lajmet. Një keqkuptim me dashje ose pa dashje sjell pasoja morale apo fizike kur bëhet fjalë për një vend diktatorial siç bëhet fjalë për Taxhikistanit. Respektoni rregullat e gazetarisë kur ai është i dyshuar. Vetëm gjykata e deklaron. Ai mbetet i dyshuar deri në një vendim të formës së prerë. Ai është i martuar dhe pret një fëmijë këto ditë. Ai është ekstraduar në Taxhikistani dhe provohet se ai është dhunuar edhe duke aplikuar rrymën elektrike në trupin e tij”.

Sipas avokatit Dogjani, i riu ka ardhur me vizë në Shqipëri për një vizitë tek halla e tij.