Policia e Durrësit ka arrestuar një 33-vjeçar të akuzuar për vjedhje në disa supermarkete në Tiranë dhe Durrës. I riu rezultoi që ishte i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
“Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e grumbulluara nga denoncimet për raste vjedhjesh në supermarkete, të adresuara ditët e fundit në Komisariatin e Policisë Durrës, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rrjeti”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: -S. Xh., 33 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë, pasi në datat 4, 5 dhe 7 tetor, ka vjedhur produkte të ndryshme ushqimore, në një rrjet supermarketesh në Durrës dhe Tiranë”, tha policia.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.