Arianit Kondi, 42 vjeç, i kërkuar për një vrasje të ndodhur në qytetin e Vlorës në vitin 2017, është arrestuar nga policia.
42-vjeçari është dënuar në mungesë me 8 vite burgim për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Ai akuzohet se më 20 Prill të vitit 2017, ka vrarë me armë Ergys Gjioveshajn.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti mes disa personave, ku mbetën të plagosur edhe 3 të tjerë.
Ngjarja ndodhi në një lokal, ku Arianit Kondi ka qenë së bashku me shokun e tij. Ata u konfliktuan me 4 persona të tjerë. Sipas dosjes së Prokurorisë, ishin këta të fundit që shkuan në tavolinën e Arianit Kondit duke ngacmuar shokun e tij.
Debati degjeneroi në përplasje fizike dhe më pas në përdorimin e armëve. 42-vjeçari Kondi nxorri nga çanta pistoletën dhe qëlloi me armë viktimën Ergys Gjioveshaj, i cili ishte përfshirë në sherrin fizik me ta. Gjioveshaj u qëllua me 6 plumba pistolete.