Aktualitet Arrestohet biznesmeni Gëzim Kajno, vrau 8 vite më parë një klient para...

Arrestohet biznesmeni Gëzim Kajno, vrau 8 vite më parë një klient para lokalit të tij

Është arrestuar nga Policia e Durrësit Gëzim Kajno, autori i një vrasjeje në 2016-ën. Mësohet se 47-vjeçari është dënuar me 10 vite heqje lirie, dënim nga i cili i kanë mbetur dhe 4 vite.

“Autor i një vrasjeje me armë zjarri, të kryer në vitin 2016, ndalohet 47-vjeçari i shpallur në kërkim, i dënuar me 10 vjet burgim. Nga ky dënim, 47-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet burgim. Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, dhënë më datë 17.10.2023, për ndalimin e shtetasit Gëzim Kajno, 47 vjeç. Ai është dënuar me 10 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet. Më datë 01.03.2016, në lagjen nr. 17, Durrës, 47-vjeçari ka vrarë me armë zjarri, shtetasin A. K.. Shtetasi Gëzim Kajno iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedural”, njoftoi Policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi në mars të 2016-ës, ku viktimë mbeti Asllan Kërtusha 30 vjeç. Në atë kohë policia vuri në pranga Gëzim Kajnon dhe nipin e tij. Sipas bluve Kërtusha nën efektin e alkoolit, ka ngacmuar klientët në lokalin në pronësi të Gëzim Kajnos, i cili më pas i ka kërkuar atij të dalë nga lokali.

Ky ka qenë dhe momenti kur konflikti verbal ka degjeneruar në dhunë dhe në përdorimin e armës. Sherri mes tyre ka vazhduar në ambientet e jashtme, ku Gëzim Kajno ka goditur me qytën e pistoletës në kokë Asllan Kërtushën. Arma ka qenë e mbushur dhe ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, ku për pasojë është plagosur në krah nipi i tij, Bledar Kajno. Më pas, Gëzim Kajno ka qëlluar Kërtushën, i cili nga plagët e marra, ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Durrësit.