Bota Mbështetja e aleatëve për Izraelin po dobësohet

Mbështetja e aleatëve për Izraelin po dobësohet

Gjendja tepër e rëndë në Gazë

Mbështetja pa rezerva për veprimet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës po dobësohet. Partnerët presin që Izraeli të tregojë fleksibilitet.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës (i cili kontrollohet nga Hamasi), pothuajse 32 mijë vetë kanë humbur jetën që kur ushtria izraelite filloi operacionin e saj ushtarak. Sipas të njëjtit burim në të njëjtën periudhë janë plagosur më shumë se 74.000 vetë. Edhe pse këto shifra nuk mund të verifikohen nga burime të pavarura, lufta në Rripin e Gazësfilloi pas sulmeve terroriste të Hamasit ndaj civilëve në Izrael më 7 tetor, kur sipas informacioneve izraelite, u vranë rreth 1160 vetë dhe u rrëmbyen rreth 250. Megjithatë duke pasur parasysh numrin e lartë të viktimave dhe vuajtjet e civilëve në Rripin e Gazës, dyshimet rreth proporcionalitetit të veprimeve ushtarake të Izraelit po rriten, madje edhe në radhët e aleatëve të ngushtë.

Shqetësimi midis partnerëve është kryesisht për shkak të planeve të qeverisë izraelite për të vazhduar ofensivën tokësore në Rafah të mbipopulluar në mënyrë që të shkatërrojë plotësisht Hamasin. Ekziston gjithashtu një shqetësim i madh për fatkeqësinë humanitare. Dhe kështu thirrjet për një armëpushim në Rripin e Gazës po bëhen më të mëdha dhe më urgjente. A po humbet Benjamin Netanjahu mbështetjen e aleatëve të tij më të ngushtë?

SHBA: Mosmarrëveshje me Netanjahun

SHBA është një aleat i vjetër i Izraelit. Deri më tani, Uashingtoni ka mbajtur gjithmonë një dorë mbrojtëse ndaj Izraelit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shtetet e Bashkuara kanë përdorur të drejtën e vetos në të kaluarën për disa rezoluta që bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në luftën midis Izraelit dhe Hamasit. Por SHBA nuk përdori veton në votimin e fundit në KS të OKB ku bëhet thirrje për ndërprerjen e luftimeve dhe vendosjen e armëpushimit.

Por tashmë janë shfaqur çarje në marrëdhëniet e ngushta dhe harmonike mes SHBA-së dhe Izraelit. Javën e kaluar, gjatë një bisede telefonike, dyshohet se pati një debat të ashpër mes presidentit amerikan Joe Bidendhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu. Biden e përshkroi një ofensivë të mundshme tokësore në Rafah si një “gabim”, por Netanjahu ende dëshiron të vazhdojë me këtë plan.

Por vetë Netanjahu së fundmi e bëri të qartë se përgatitjet për këtë ofensivë do të zgjasin disa javë. Megjithatë, qëndrimi pa kompromis i kryeministrit izraelit, i kombinuar me situatën gjithnjë e më katastrofike humanitare në Rripin e Gazës, shkaktoi një rishikim të qëndrimit amerikan në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërkohë vazhdohet me negociata intensive për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken aktualisht është duke vizituar Lindjen e Mesme për të folur me të gjitha palët e përfshira. “Një marrëveshje po afrohet dhe është shumë e mundur,” tha Blinken së fundmi me mjaft besim.

Kanadaja pezullon dërgimin e armëve

Edhe Kanadaja i dërgoi sinjale të qarta Izraelit këtë javë. Në Otavë, Parlamenti kanadez, me ndihmën e votave të të Gjelbërve dhe Liberalëve, miratoi një vendim për pezullimin e përkohshëm të të gjitha dërgesave të armëve në Izrael. Përveç kësaj, Kanadaja duhet të vazhdojë të punojë drejt qëllimit të dy shteteve që lidhet me njohjen e një shteti të pavarur palestinez. Ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly shpjegoi se si lufta aktuale midis Izraelit dhe Hamasit e motivoi këtë vendim: situata në terren, tha ajo, nuk e lejon më Kanadanë të eksportojë armë në rajon.

Kanadaja konsiderohet një aleat i ngushtë i Izraelit, njësoj si SHBA. Por kryeministri Justin Trudeau kohët e fundit është vënë nën kritika për mbajtjen vazhdimisht të qëndrimeve të paqarta për konfliktin në Lindjen e Mesme. Në dhjetor, Kanadaja miratoi një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që bënte thirrje për një armëpushim humanitar, por rezoluta nuk përfshinte thirrjen për Hamasin për të lënë armët. Pasi vendet aleate dhe politikanët opozitarë reaguan me moskuptim, Qeveria u detyrua të sqarojë qëndrimin e saj në një deklaratë të plotë. Edhe kur Afrika e Jugut ngriti një çështje gjenocidi kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), Trudeau nuk arriti të formulonte një pozicion të qartë për rastin. Trudeau u tha gazetarëve se Kanadaja mbështet GJND-në dhe “do t’i bindet çdo vendimi” të marrë nga ICJ. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ai nuk pranoi të thoshte nëse Kanadaja ndante akuzat për gjenocid.

Opozita, si dhe aktorë të shumtë të shoqërisë civile, kanë rritur së fundmi presionin ndaj qeverisë Trudeau për të marrë një pozicion më të qartë për konfliktin në Lindjen e Mesme. Kjo ndoshta çoi në një embargo armësh që u vendos nga parlamenti dhe qeveria dëshiron ta zbatojë, megjithëse vendimi i parlamentit nuk është ligjërisht i detyrueshëm. Kjo e rendit Kanadanë në mesin e vendeve që kanë ndaluar eksportet e armëve në Izrael, ku përfshihen Japonia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.

Samiti i BE-së: Presioni ndaj Izraelit po rritet

Sidomos brenda Bashkimit Evropian, Spanja është bërë një nga kritikët më të ashpër të operacionit ushtarak izraelit. Së bashku me homologun e tij irlandez Leo Varadkar (i cili që atëherë ka njoftuar dorëheqjen e tij), kryeministri spanjoll Pedro Sanchez i bëri thirrje Komisionit Evropian të rishikojë marrëveshjen e asocimit të BE-së me Izraelin. Madridi dhe Dublini kanë shprehur dyshime se Izraeli do të përmbushë detyrimet e tij sipas kësaj marrëveshjeje, veçanërisht në lidhje me “respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike” të cilat janë “elemente thelbësore të marrëdhënieve.” Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e hodhi poshtë këtë propozim. Por edhe ministrja gjermane, përpara turneut të saj të ri në Lindjen e Mesme, paralajmëroi Izraelin për katastrofën humanitare në Rripin e Gazës.

Pavarësisht kësaj, 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE ranë dakord për një deklaratë të përbashkët mbi konfliktin në Lindjen e Mesme të enjten (21 mars), e cila synon të theksojë përgjegjësinë e Izraelit. Deklarata bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm i cili duhet “të çojë në një armëpushim të qëndrueshëm, lirimin e pakushtëzuar të të gjithë pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës dhe ofrimin e ndihmës humanitare”. BE i bën thirrje qeverisë izraelite që të mos nisë një ofensivë tokësore në Rafah. Ishte deklarata e parë e përbashkët e të 27 vendeve anëtare evropiane për luftën midis Izraelit dhe Hamasit në pesë muajt e fundit./DW