Ish-deputeti dhe ish-ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Numan Balic është arrestuar nga policia nën dyshimin për ngacmim seksual ndaj një gruaje, në spitalin rajonal të Pejës. Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Pejë.
“Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar një burrë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale, sulm seksual, në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.
Pa zbuluar identitetin e të dyshuarit, edhe Policia ka konfirmuar arrestimin e një burri për sulm seksual në spitalin e Pejës, mbrëmë rreth orës 23:00.
“Rr. Nëna Terezë, Pejë 12.08.2020-22:53. Është arrestuar i dyshuari mashkull nën dyshimin se i njëjti e ka sulmuar seksualisht viktimën femër. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë”, njofton Policia.
Kjo nuk është hera e parë që ish-ministri Numan Balic përballet me akuza të ngjashme. Më 2018, ai ishte arrestuar nga Policia nën dyshimin për ngacmim seksual ndaj një 17-vjeçareje, praktikante në spitalin e Pejës. Megjithatë, në Gusht të vitit 2019, Gjykata Themelore në Pejë e kishe liruar Numan Balicin nga akuza.