Janë dy persona që janë të dyshuar si autorë të vrasjes së policit Xhulio Prela më 5 Dhjetor.
Njëri prej tyre ka rënë në pranga nga policia. I arrestuari është Nikollë Sherniku, dhe policia thotë se për të Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe bashkautori tjetër. Ndaj B.M rëndojnë po të njëjtat akuza, ndërsa po vijon puna intensive për ta gjetur. Pas hetimeve policia thotë se këta persona kanë qëlluar ndaj Prelës pas një konlifkti të çastit për motive të dobëta.
Mësohet se për identifikimin e tyre hetuesit janë ndihmuar nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë të bizneseve në zonën ku u vra i riu. Fillimisht është identifikuar makina dhe më pas policia ka shkuar tek autorët duke i shpallur ata kërkim.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 5 Dhjetorit në aksin rrugor Lezhë-Milot në fshatin Gajush. Prela po kthehej nga Shkodra nga ku kishte dërguar më herët një mikun e tij që ishte kthyer nga Anglia. Ai u qëllua me një plumb në zemër që i shkaktoi edhe vdekjen, ndërsa ishte duke drejtuar automjetin e tij tip Wolkswagen.
Në fillim u dyshua për një vrasje që lidhej me detyrën pasi ai punonte për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, por hetimet kanë zbuluar se bëhej fjalë për një konflikt të çastit.