Majtas viktima, Petrit Vuksani; djathtas autori i dyshuar Lekë Vuksani
Merr fund pas 21 orësh kërkimesh e ndjekje, arratia e Lekë Vuksanit në Shkodër.
Policia thotë se 34-vjeçari, i cili akuzohet se një ditë më parë ekzekutoi me armë zjarri Petrit Vuksanin, u vu në pranga falë bashkëpunimit të policisë së Shkodrës me forcat RENEA. Autoritetet po ashtu kanë mundur të sekuestrojnë edhe armën e krimit.
“Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit Petrit Vuksani. Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga shtetasi Lekë Vuksani, 34 vjeç, banues në Shkodër. Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin. Ky shtetas dyshohet se rreth orës 12:15, të datës 02.05.2023, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin Petrit Vuksani 51 vjeç. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mesditën e së martës, Lekë Vuksani qëlloi për vdekje në shtëpinë e tij 51-vjeçarin Petrit Vuksani. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Tom Kola” të Shkodrës. Shkak u bë fakti se viktima i kërkoi Lekë Vuksanit që të lironte shtëpinë që i kishte lënë me qira gjatë kohës që nuk ndodhej në Shqipëri.
Autori i dyshuar nuk njihej si person problematik dhe rezulton pa precedentë penalë. Sa i përket viktimës, mësohet se fqinjët e njihnin atë shumë pak, pasi pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar jashtë vendit, në Angli, por edhe në vende të tjera të Europës.