Aktualitet Arrestohet polici i Operacionales, ishte pjesë e trafikut të kokainës në Tiranë,...

Arrestohet polici i Operacionales, ishte pjesë e trafikut të kokainës në Tiranë, njohje me Ervis Martinajn

Ervis Sh. punonjës policie, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është arrestuar i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim. Ervis Sh. siguronte shkëmbimin e drogës dhe të parave mes grupeve kriminale.

Sipas burimeve efektivi i Forcave Operacionale, prej kohësh ishte i lidhur me grupet kriminale që merren me trafikun dhe shitjen e lëndëve narkotike. Madje edhe mbrëmjen e së enjtes ku antidroga arrestoi 3 të rinjtë, mes tyre Eneo Sulejmanaj, kreun e shoqatës së transportit ndërqytetas, Shkurta ishte afër vendit të ngjarjes. 38-vjeçari sapo ka parë që kolegët e tij ndërhynë, ka njoftuar grupin tjetër kriminal që prisnin për të marrë kokainën që të largohen me shpejtësi.

Bisedat me ‘Visin e Pazarit’

Emri i efektivit të Operacionales ka dalë pas zbërthimit të celularëve ku agjentët kanë gjetur biseda mes të arrestuarve me një person me emrin ‘Visi i Pazarit’. Shkurta lidhej me një numër anglez në aplikacionet celulare me të arrestuarit ku komunikonin për mallin dhe shumat e lekëve. Ndërkohë vijojnë kontrollet për gjetjen e celularit me numër anglez të punonjësit të policisë. Në kërkim është shpallur edhe një tjetër person si i përfshirë në skemën e trafikut të drogës.

Ervis Sh. gjithashtu dyshohet se kishte njohje dhe lidhje edhe me bandën kriminale të Ervis Martinajt.

Njoftimi i policisë:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor E. SH., 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.

Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në përmbushje të misionit të saj për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.