Ekonomi Rama paralajmëron uljen e tatimit të pagës

Rama paralajmëron uljen e tatimit të pagës

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria po mendon të ulë tatimin e pagës.

“Kemi kohë që nuk rrisim taksa, përkundrazi, tani kemi një projekt, besoj nga qershori do ta materializojmë, për të ulur tatim fitimin e të ardhurave për ata që i kanë pagat më të larta si punonjës…”, tha Rama gjatë një bisede në podcast-in e tij të së shtunës me një grup sipërmarrësish në fushën e agroturizmit.

“Por një – nga arsyet është që nuk mund t’i vëmë ne më shumë taksa njerëzve nëse nuk u japim shërbime më të mira. Për këtë nivel shërbimesh sot për sot, ne nuk mund të pretendojmë që mund të vëmë më shumë taksa”.

Sipas ligjeve në fuqi, tatimi i pagës në Shqipëri është progresiv dhe ndryshon në bazë të niveleve. Kështu, për rroga deri në 40 mijë lekë, tatimi është 0.

Për pagat deri 50 mijë lekë, tatimi është 13% për shumën mbi 30 mijë lekë.

Për pagat deri në 200 000 lekë tatimi është 13% e shumës mbi 30 mijë lekë.

Për pagat mbi 200 000 lekë, tatimi është 22 100 lekë + 23% të shumës mbi 200 000 lekë.