Drejtoria rajonale e SHÇBA-së në Fier ka arrestuar punonjësin e policisë Anxhelo Bardhi, i cili mbrëmjen e së shtunës dhunoi një gazetar me iniciale Xh.O, teksa ky i fundit po lëvizte me makinën e tij së bashku me një vajzë.
Në pranga ka rënë edhe shoku i policit me iniciale D.R. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:00, në Fier teksa Bardhi, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Stacionin Policor Roskovec ishte jashtë shërbimit.
Mësohet se së bashku me shokun e tij, ata kanë goditur me mjete të forta dhe grushta gazetarin duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Përveç dëmtimeve fizike, ata i kanë dëmtuar edhe mjetin pasi me një çekiç i kanë thyer xhamin e parë të makinës. Burime në vendin e ngjarjes thanë se shkak i sherrit janë bërë konfliktet për një vajzë.
Sipas uniformave blu, një patrullë policore ndërhyri menjëherë në vendngjarje dhe shoqëroi në Komisariat agresorët duke parandaluar përshkallëzimin e ngjarjes. Menjëherë pas kësaj ngjarje Drejtori i Policisë së Shtetit pezulloi menjëherë nga detyra inspektorin.
Dy dhunuesit akuzohen për veprat penale të “Kanosjes”, “Prishjes së qetësisë publike” dhe “Shkatërrimit të pronës” kryer në bashkëpunim.
“Të gjitha veprimet e kundraligjshme dhunuesit i kanë kryer duke thyer fashat orare të përcaktuara në aktet ligjore në fuqi për gjendjen e jashtëzakonshme, fakt ky i dënueshëm”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e uniformave blu.