Bota Një leksion sakrifice nga koha e murtajës: Historia e fshatit anglez që...

Një leksion sakrifice nga koha e murtajës: Historia e fshatit anglez që u karantinua në vitin 1666

SONY DSC

Patrick Wallis – 1843 Magazine

Fshatrat e vogla në Derbyshire rrallë dalin në lajmet ndërkombëtare. Por sot, sjellja heroike e njërit prej tyre, Eyam, gjatë epidemisë së murtajës mbi 350 vjet më parë, mund t’i shërbejë botës si shembulli se si mund ta trajtojmë pandeminë Covid-19. Eyam ka një histori të fuqishme: ai zgjodhi me vullnetin e tij të izolohej nga komunitetet fqinje kur shpërtheu murtaja në vitin 1666. Karantina vullnetare u kushtoi jetën shumë njerëzve, por ajo pengoi përhapjen e murtajës në të gjithë rajonin.

Paralelet midis vetëkarantinimit të Eyamit dhe izolimit të sotëm shoqëror kanë gjetur pasqyrim në faqet e “Washington Post” apo në ekranet e France 24 dhe Canadian TV. Simon Armitage, poet laureat në Britani, shkroi një poezi për epideminë e koronavirusit, që nis nga momenti i kur një copë rrobe çoi murtajën në fshat. Shembulli i Eyam na detyron të reflektojmë se sa mund të arrijmë si komunitete përballë një pandemie. A mund të bëhemi ne aq vetëmohues sa banorët e atij fshati apo kemi humbur moralin dhe nderin? A mund të lihet suksesi i izolimit në sensin tonë të qytetarisë, në vetëdijen tonë për detyrimin ndaj fqinjëve.

Historia e vërtetë e murtajës së Eyamit është tjetër nga versioni heroik i raportuar në lajme dhe rrëfehet në histori të panumërta, romane dhe shfaqje të panumërta. Mësimi i tij për të luftuar epidemitë nuk është i thjeshtë për vlerën e udhëheqjes së guximshme dhe për virtytin e vetëflijimit. Historia e vërtetë e fshatit tregon problemin e përdorimit të historive gjysmë të kujtuara për udhëzime se si t’u përgjigjemi ngjarjeve të jashtëzakonshme dhe të rralla si shpërthimi i koronavirusit, që po jetojmë tani.

Në kohën kur murtaja arriti në Eyam në vjeshtën e vitit 1665, Londra dhe disa qytete të tjera ishin shkatërruar nga sëmundja. Rreth 50 000 njerëz kishin vdekur në kryeqytet, praktikisht një në pesë persona. Askush në Angli nuk ishte dyshim sa i ashpër ishte ai kërcënim. Kjo ishte një shoqëri me përvojë shekullore në reagimin ndaj epidemive, që ishin përsëritur me rregullsi vdekjeprurëse që nga Vdekja e Zezë e vitit 1348. Ndarja e të sëmurëve nga të shëndetshmit u përqafua gjerësisht si një teknikë efektive dhe qeveria ishte e përgatitur mirë në zbatimin e saj. Rregulloret tona aktuale të karantinës, përfshirë izolimin për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, janë një trashëgimi e drejtpërdrejtë e kësaj periudhe.

Megjithatë, përkundër sfondit të kësaj historie, ajo e Eyamit ende ka dallime. Ishte një fshat i vogël minierash plumbi; nga disa përllogaritje mendohet se kishte vetëm 330 banorë. Në kohën kur murtaja u qetësua në nëntor 1666, 259 prej tyre ishin të vdekur. Shtëpitë ishin zbrazur, të gjitha familjet ishin prekur. Duke zgjedhur të qëndrojnë në fshatin e tyre, fshatarët ruajtën jetën e bashkatdhetarëve të tyre. Por kostoja ishte e madhe. “Qyteti ynë është bërë Golgotha, vendi i një kafke,” shkroi William Mompesson, famullitari i tij.

Në Britani, ne priremi të mendojmë për karantinë mbi baza shtëpiake, dhe dyert e gozhduara të shënuara me një kryq të kuq që Daniel Defoe i përshkruante në “Ditari i Vitit të Murtajës”, libri i tij i famshëm (1722). Por zona më të mëdha gjithashtu mund të prekeshin. Kordoni sanitar rreth Eyamit ishte i ngjashëm me kontrollet e vendosura nga magjistratët lokalë në disa famulli dhe fshatra në vitet 1660. Kur vendi dukej i kërcënuar nga murtaja e vitit 1722, Richard Mead, një mjek i shquar, ngriti argumentin e izolimit të shpërthimeve në të njëjtën mënyrë, duke përdorur Eyamin si shembull.

Epidemia e Eyamit ka më shumë sesa kufoma në historinë e tij. Ai edhe histori dashurie si ajo e Emmott dhe të dashurit të saj Rowland, nga fshati fqinj Middleton Dale. Ata shiheshin çdo ditë përgjatë kufirit të karantinës, derisa një ditë Emmott nuk doli më. Rowland i dëshpëruar dilte çdo ditë; vetëm pasi u hoq karantina, ai zbuloi se Emmott kishte vdekur muaj më parë. Një grup fshatarësh së bashku u përkushtuan për të mbrojtur rajonin dhe mbijetuan duke blerë ushqim nga jashtë me monedha të mbetura. Një udhëheqës tragjik, Mompesson, e humbi gruan e tij Katerinë nga murtaja, megjithatë prapë vazhdoi ta kulloste kopenë e tij, duke i çuar në fusha me bar,  dhe jo në kufijtë e rrezikshëm të kishës. Kishte madje edhe një rival për Mompesson, në priftin antikonformist Thomas Stanley, i cili sapo ishte përjashtuar nga famullia sepse kishte refuzuar të pranonte restaurimin e kishës anglikane pas luftës civile.

Por shumë elementë të kësaj historie shumëngjyrëshe mungojnë në rrëfimet bashkëkohore. Ato janë më shumë tregime sesa histori. Kjo përfshin vendimin e fshatit për sakrificë heroike: zgjedhja e tij për t’u izoluar. Që fshati u karantinua, kjo nuk ka asnjë dyshim. Por nocioni që fshatarët imponuan në mënyrë heroike izolimin e tyre nuk ka asnjë bazë në asnjë nga burimet e hershme. Fryma e vetëflijimit që tani na kërkohet të imitojmë është një mit.

Asnjë nga burimet origjinale, përfshirë letrat e Mompesson, nuk e përmend karantinën si zgjedhje e vetë fshatit. Në vend të kësaj, ato theksojnë suksesin e këtij izolimi dhe lidershipin që e kërkoi. Kjo nuk është për t’u habitur, parë nga këndvështrimi i kohës. Deri në vitet 1660 karantina ishte një teknikë e pranuar e shëndetit publik, por ishte diçka e imponuar nga shteti, jo e miratuar nga komunitetet me frymë publike – pjesërisht sepse, për disa, tundimi për të dalë ishte gjithmonë shumë i fortë.

Nëse historia e Eyamit tingëllon si një novelë romantike, kjo është sepse pjesë të mëdha të saj janë shpikur. Fryma e tregimit i detyrohet shumë imagjinatës së Anna Seward, një poete e njohur e shekullit XVIII, përshkrimi i së cilës për murtajën – në një letër të shkruar në 1765 – u shfaq në një botim të letrave të saj të botuara nga Walter Scott, romancier historik. Seward ishte e bija e famullitarit të fshatit dhe ishte prekur nga letrat e Mompessonit. “Zemra juaj do të preket nga kjo pamje besnike e një vlere të ngritur,” shkroi ajo. Megjithatë, shumica e detajeve të tregimit u shfaqën së pari me shkrim vetëm dy shekuj pas ngjarjeve që ato i përshkruajnë, kur William Wood, një historian vendas dhe mbledhës i taksave, botoi një libër të historisë lokale, “Historia dhe antikitetet e Eyam” (1842). Edhe vetë Wood u shqetësua për saktësinë e këtyre tregimeve: botimet e mëvonshme erdhën nën titullin “Legjendat e Murtajës”.

Shkrimet e Wood ndihmuan për të ushqyer pozicionin e Eyamit në imagjinatën popullore. Më shumë se 10 000 njerëz morën pjesë në një shërbesë përkujtimore atje në vitin 1934. Deri në kohën e Festivalit të Britanisë në 1951, trashëgimia e fshatit ishte bërë një element i tillë i historisë britanike, saqë pllaka me emrat e fshatarëve që kishin vdekur nga murtaja ishin vendosur në mënyrë arbitrare në muret e shtëpive të fshatit, megjithëse pothuajse nuk kishte asnjë provë se kush kishte jetuar në cilën shtëpi. Sot 1 000 banorët e Eyamit presin dhjetëra mijëra vizitorë në vit, dhe birraria vendase u shuan etjen klientëve me lloje të birrave si: “Portokalli Bubonik”, “Karantinë” dhe “Vdekje e Zezë”. Eyam ka vijuar të tërheqë vëmendjen e imagjinatës krijuese. Në tetor 2018 “Eyam”, një shfaqje e re e bazuar te epidemia e murtajës, u interpretua në teatrin “Shakespeare’s Globe”, në Londër.

Vetëm disa fije të holla provash i lidhin tregimet e larmishme që janë thurur rreth epidemisë së Eyamit me rekordet historike. Totali i dokumenteve nga ajo kohë për murtajën është shumë pak: tre letra nga Mompesson të shkruara në 1666, regjistri i varrimit të famullisë dhe mbishkrimet mbi varret e shpërndara nëpër fshat. Vetëm dy burime të tjera të shkruara, një nga 1702 dhe një tjetër nga 1722, janë të dorës së dytë, nga djemtë e dy priftërinjve, Mompesson dhe Stanley.

Megjithëse nuk ka asnjë burim për pretendimin se fshati është izoluar vetë, ka prova që të çojnë në drejtimin tjetër: njerëzit u larguan nga Eyami për të shpëtuar nga murtaja. Vdekjet ndodhën në familjet e varfra, duke sugjeruar që shumë fshatarë më të pasur që mund të largoheshin e kishin bërë këtë para se të vendosej karantina. Mompesson i kishte dërguar fëmijët te xhaxhai i tij në Yorkshire. Në mënyrë të qartë, një nga burimet e pakta të mbijetuara në një komunitet fqinj sugjeron që fshatarëve të mbetur të Eyam-it mund të mos u ishte dhënë asnjë shans të largoheshin (njësoj siç trupat kineze bllokuan njerëzit të largoheshin nga qyteti i Vuhanit pasi u vendos izolimi atje në shkurt). Ka të dhëna që tregojnë se qyteti i Sheffield-it punësoi zyrtarë për të kufizuar lëvizjen, duke i paguar ata për t’i mbajtur njerëzit atje “në kohën që sëmundja ishte në Eyam”.

Nëse fshatarët nuk u vetizoluan, a i bën kjo ata më pak heroikë? Mbase jo. Edhe nëse policët e kohës ishin në kufijtë e famullisë, qëndrimi atje në përputhje me karantinën kërkonte një mijë akte trimërie të përditshme nga të prekurit. Këto janë një formë më e qetë e heroizmit, por jo më pak e guximshme për të.

Nëse fshatarët u përpoqën të rrinin brenda kufijve të famullisë së tyre, dhe nëse u desh kërcënimi i forcës për t’i kujtuar ata për nevojën për të qëndruar brenda kufijve të saj, atëherë ata ofrojnë një udhëzues më realist për atë se si mund të veprojmë tani . Është më e lehtë t’i shërbejmë të mirës më të madhe, nëse nuk duhet të kërkojmë brenda vetes të gjithë disiplinën që kërkon kjo. Rreziku që paraqet Covid-19 për shumicën prej nesh është i vogël në krahasim me rreziqet me të cilat u përballën fshatarët e Eyamit. Për të gjitha këto, ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos pyetur shumë për njëri-tjetrin. Për të qenë efektive, karantinave u duhen përforcime të jashtme dhe të brendshme nëse duam të kenë sukses. Heroizmi nuk mund të zëvendësojë veprimin e qeverisë: na duhen të dyja.

*Patrick Wallis – profesor i historisë ekonomike në London School of Economics