Facebook do të rikthejë shërbimin e lajmeve për përdoruesit e tij në Australi. Kjo erdhi pas marrëveshjes së arritur nga qeveria e këtij shteti me gjigantin teknologjik për kushtet financiare.
“Facebook ka shtuar Australinë sërish te miqtë”, tha Sekretari i Thesarit, Josh Frydenberg, duke shtuar se zhbllokimi do të bëhet gjatë ditëve në vijim.
Facebook bllokoi javën e kaluar shpërndarjen e lajmeve për australianët në platformën e tij, pas grindjes me qeverinë për ligjin që e detyronte të paguante mediat për përmbajtjen.
Kjo solli shumë probleme për qytetarët, pasi u bllokuan edhe informacionet rreth motit dhe shërbimeve të emergjencave. Ajo që bëri gjigantin teknologjik të ndryshojë mendje ishte garantimi i mundësisë për të zgjedhur mediat që do të paguajë për shërbimin e lajmeve.