Moise Ken do të jetë lojtari më i ri i Evertonit, pasi është arritur marrëveshja për transferimin e sulmuesit në Premier Ligë.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, lojtari do të kalojë tek Evertoni, ku do të fitojë 3 milionë euro në sezon, dhe në arkat e Juventusit do të derdhen 30 milionë euro. Thuhet se italiani është larguar nga pjesa tjetër e skuadrës bardhezi, dhe do të niset drejt Anglisë, ku në 48 orët e ardhshme do të kryejë vizitat mjekësore.
Palët ishin në bisedime prej shumë kohësh, por nuk po arrihej një marrëveshje për shkak se Juventusi kërkonte të drejtën e riblerjes për sulmuesin. Ken ishte edhe në orbitën e Ajaksit, por holandezët nuk e bindën “Zonjën e Vjetër” me ofertën e tyre, dhe kjo bëri që lojtari të kalojë tek Evertoni.
19-vjeçari shkëlqeu me Juventusin në sezonin që lamë pas, teksa në 17 ndeshje ku u aktivizua, ai arriti të shënojë 7 gola, duke e bërë atë një nga të rinjtë më të spikatur në Serinë A.