Largimi i Arbana Osmanit nga “Top Channel” është përfolur shumë nga dje pasdite, kur lajmi se do të braktisë emisionin “Dua të të bëj të lumtur”, u shpërnda në të gjitha mediat.
Moderatorja nuk bëri asnjë reagim për këtë pjesë, por ia besoi mikeshës së saj Xhemi Shehu që të komentonte largimin me humor, përmes një fotoje me makarona të publikuar në Instagram, ku shkruante: “I fut një dorë makarona kur është robi pa punë”.
Lajmi për largimin u mohua më pas por e pati një të vërtetë brenda, faktin që Arbana u largua për t’u rikthyer sërish në televizion pas dy ditësh negociata dhe pasi u përmbushën kushtet e saj.
U tha se arsyeja e debatit ishte kërkesa e saj për një vlerësim më të lartë monetar, por “iconstyle.al” ka zbuluar një tjetër arsye për pakënaqësitë që ka pasur Arbana në ambientet e televizionit.
Sipas burimeve për “iconstyle.al”, arsyeja e largimit të moderatores nga televizioni lidhet me Renato Mekollin dhe emisionin e tij të gatimit.
Po të njëjtat burime shtojnë se gjysmën e sezonit të “Dua të të bëj të lumtur”, studion e Arbanës do ta shfrytëzojë Renato për emisionin e ri të gatimit të fëmijëve që do të startojë në prill.
Me sa duket, Arbana nuk ka qenë dakord që të shfrytëzohej studioja e saj ndaj dhe ka negociuar me drejtuesit e televizionit.
Nuk e dimë se çfarë ambienti do të shfrytëzojë Renato për emisionin e tij, megjithatë pak ditë më parë ai zbuloi se formulën e programit të ri të gatimit për fëmijë e ka ideuar vetë.
Dy grupe do të garojnë kundër njëri-tjetrit dhe çdo javë do ketë konkurrentë të rinj. Fituesi i çdo jave do të zgjidhet nga publiku dhe jo nga vetë ai.
Burimi: Iconstyle.al