Gjalpi nuk është alternative më e shëndetshme për të gatuar, kjo për shkak të acideve yndyrore të ngopura, përgjegjëse për bllokimin e arterieve. Gjalpi përmban 82% yndyrë, 16% ujë dhe 2% kripë inorganike. Ndonëse konsumi i 10 deri në 20 gr gjalpë në ditë nuk sjell asnjë shqetësim për shëndetin kardiovaskular apo të përgjithshëm, është mënyra se si ne e marrim sasinë e gjalpit, ajo që përbën problem.
Nëse mendoni se nuk keni asnjë mënyrë për të shmangur përdorimin e gjalpit, qoftë në gatime të ëmbla apo të kripura, duhet të lexoni më parë këto ide…Një nga arsyet kryesore pse njerëzit kanë ‘shpikur’ zëvendësimin e tij, është për shkak të kalorive të shumta që përmban (rreth 720 kcal për 100 gr). Po të shtojmë këtu edhe faktin se tashmë cilësia e tij është e dyshimtë, atëherë sygjerimet e mëposhtme duhen aplikuar sa më parë…
1. Vaj ulliri
Vaji i ullirit mund të përdoret edhe në gatimet e ëmbla edhe në ato të kripura. E mira është të mos përdoret për skuqje sepse digjet shpejtë. Duhet të keni parasysh se përbërja e tyre është e ndryshme prandaj, nëse i zëvendësoni, duhet të dini që 100 gr gjalpë janë të barabarta me 80 gr vaj ulliri ndërsa në ëmbëlsira me 60-70 gr. Për çështjen e shijes, sidomos te ëmbëlsirat, mund të përdorni vaj luledielli ose kikiriku sepse kanë shije dhe aromë më pak të fortë.
2. Kosi dhe pana
Një mundësi tjetër e zëvendësimit të gjalpit është kosi ose pana. Shija e ëmbëlsirave me to do të jetë më e lehtë ndërsa përbërësit do të lidhen po njësoj. Në vend të 100 gr gjalpë do të përdorni 125 gr kos ose pana.
3. Tuli i avokados
Një avokado e butë, nëse shtypet mirë, mund të zëvendësojë gjalpin edhe në përgatitjen e ëmbëlsirave. Mjaftojnë 50 gr tul avokado për të zëvendësuar 100 gr gjalpë. Ëmbëlsira juaj do të jetë shumë më e shëndetshme.