Gazetari investigativ Artan Hoxha ka komentuar arrestimet e policisë në lidhje me hetimet për tërmetin e 26 nëntorit në kryeqytet. Nga organi hetimor janë firmosur 41 urdhër-arreste, ndërsa janë ndaluar 31 persona. Dhjetë të tjerë janë në arrati.
Por Hoxha mendon se kjo dosje e servirur me bujë, do të shfryhet shumë shpejt në gjykatë. Për më tepër që ai gjykon se arrestime janë kryer vetëm në radhët e të djathtëve.
“20 vitet e fundit kryeqyteti është drejtuar nga e majta, ndërsa ish-komunat nga e djathta. Pra fletë-arrestet janë prerë për të djathtët. Bashkia e madhe që është drejtuar nga e majta nuk është prekur nga prokurorët e çështjes. Dëgjova sot prokuroren që përmendi edhe Kamzën e Vorën. Të gjitha këto njësi administrative kanë qenë drejtuar nga kryetarë të djathtë”, tha Hoxha për Abc news.
Ai mendon se gjykata do t’i lirojë ata një e nga një, pasi prokurorët janë të pritur të çojnë njerëz në burg kur ka presion politik
“Mendoj se gjykata mund t’i lirojë personat e arrestuar sepse prokuroria s’ka nevojë të bëjë zhurmë, por hetime të thelluara. Pra ata mund ti hetonte në gjendje të lirë. Kemi 18 arrestimet e Durrësit, që u liruan ca në Shkallën e Parë e ca në Apel. Prokurorët tanë janë të pritur të çojnë njerëz në burg kur ka presion politik”, tha Hoxha.