Gazetari Artan Hoxha në studion e Abc News ka dhënë detaje për videon e publikuar, të kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla duke marrë kokainë.
Gazetari tha se është bërë e pamundur që kjo video e paralajmëruar të mos publikohet. Hoxha tha se janë persona të afërt të rrethit të kryebashkiakut që kanë kërcënuar me jetë edhe familje, qytetarë në Dibër dhe Tiranë që kjo video të mos publikohet.
Sipas gazetarit këta persona kanë kërcënuar persona që mendojnë se kanë lidhje me videon në fjalë.
“Mua më ka tërhequr përshtypjen për një gjë. Unë i ndjek fushatat elektorale dhe mundohem të shikoj kush janë kandidatët. E vetmja që më tërhoqi vëmendjen ishte që daja ia dorëzoi mandatin nipit. Jam përpjekur që ta shikoj, kishin dy gjëra, personaliteti i personit në fjalë, i arsimuar, biznesmen, jetë të qetë. Nuk më përputhej me atë që po shikoja.
Pse këtë personazh është përzgjedhur të shkojë aty. Bulqiza është më e varfra e Shqipërisë, por operojnë disa nga kompanitë më të fuqishme. Ajo njësi bëhet e rëndësishme. Mua nuk më përputheshin e kaluara e këtij personi, nuk është i përfshirë në ngjarje problematike, por rrethi i ngushtë, i vëllait, ka probleme. Dhe është ky rreth sot që ka bërë ato kërcënime që kanë kërcënuar qytetarët në qarkun e Dibrës dhe të Tiranës. E di shumë mirë që kur del një e vërtetë cënohen shumë interesa. Reagimi i tyre është që të sulen te njerëzit që u kanë prishur punë”, tha ai.