Aktualitet Kryebashkiaku i Bulqizës flet pas videos: Shantazh nga grupe biznesi e kriminale...

Kryebashkiaku i Bulqizës flet pas videos: Shantazh nga grupe biznesi e kriminale pranë PD-së

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, ka reaguar pas videos të publikuar nga gazetari i Abc News Artan Hoxha, duke thënë se bëhet fjalë për një montazh.

Sipas tij, kemi të bëjmë me një video shantazh nga “grupe biznesi e grupe kriminale” pranë Partisë Demokratike, “që dikur plaçkisnin pasurinë e Bulqizës”.

Alla vë në dukje se pas kësaj videoje fshihet ish-deputeti Ervin Salianji.

Reagimi i plotë i Leftër Allës:

Është për të ardhur keq kur një parti që ka bërë histori në këtë vend, një parti që pretendon se është alternativë qeverisëse, e redukton aksionin e vet politik në montazhe e transmetime videosh me Babale. Por, është akoma më kriminale kur kjo parti, e koordinon aksionin e vet politik me grupe biznesi e grupe kriminale, që dikur plaçkisnin pasurinë e Bulqizës me bekimin e Partisë Demokratike. Dhe sot, që Bulqizën nuk e drejton më PD dhe atyre ju është prerë rruga e grabitjes, kthehen të gjithë bashkë në montazhierë për të më shantazhuar mua!

Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast.

Nuk ka shanse që t’ju ecë ky shantazh.

Unë nuk jam në detyrë për të kënaqur orekset e mbushur xhepat e klientëve të PD që për vite me radhë e kthyen Bulqizën në një parajsë për grabitje e ferr për qytetarët. Jam këtu për të punuar për qytetarët e thjeshtë dhe jam krenar që një nga punët më të mira që kam bërë ka qenë largimi i asaj tufe grabitësish që sot montojnë video në SHQUP.