Një prej plazheve më të bukur në Greqi, “Navagio”, për sezonin veror të këtij viti nuk do të jetë i aksesueshëm nga pushuesit dhe turistët.
Edhe pse gjiri i vogël në ishullin e famshëm të Zakynthos është shndërruar në një nga destinacionet më të vizituara helene për shkak edhe të anijes së mbytur në 1980, “Panagiotis”, që gjendet në breg, autoritetet i kanë vendosur “kyçin”.
Plazhi i njohur edhe si “Limani i kontrabandistëve”, ku shihen në pëllëmbë të dorës ishujt e detit Jon, do të qëndrojë i mbyllur me vendim të katër ministrive, përkatësisht asaj për Mbrojtjen e Qytetarëve, ministrisë së Politikave Detare dhe Ishujve, ministrisë së Turizmit dhe Krizave Klimatike, e asaj të Mbrojtjes Civile.
Vendimi është marrë pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve vendase dhe garancive për bërjen të aksesueshme të anijes së mbytur, e cila dyshohet se kryente kontrabandë cigaresh dhe alkooli nga ish-Jugosllavia.
Turistëve dhe pushuesve vendas nuk do t’iu lejohet qarkullimi dhe afrimi, apo ankorimi i varkave dhe as noti i atyre që ndodhen në bord kudo në gji, konkretisht në zonën detare brenda vijës që bashkon dy skajet (verior dhe jugor) të gjirit.
Përsa i përket rrafshnaltës ndalohet hyrja e vizitorëve, me një kufi ndalimi 10 metra nga buza e shpatit ranor.