“As politika nuk i ka shpëtuar virusit që po qarkullon sot në botë”, deklaron Francois Balloux, një profesor i shkencave të University College of London për periodikun Time.
Sepse në listën e të prekurve nga COVID-19, politikanë të një profile të lartë, liderë politikë gjenden edhe emrat e tyre, ndërsa vetë ata janë izoluar për të luftuar të vetëm betejën kundër koronavirus.
Iraj Harirchi, kreu i Task Forcës së krijuar pikërisht për luftën ndaj këtij virusi në shtetin Iranian u diagnostifikua me COVID 19, më 25 shkurt, pikërisht pak momente para se të shpallte gjendjen e izolimit të vendit të tij.
Menjëherë pas tij, 20 magjistratë dhe persona që merren me drejtësinë e avokatinë, të cilët i kanë qëndruar pranë Harirchi-t u izoluan menjëherë. Media konfirmon se 2 prej këtyre iranianëve që kanë qëndruar pranë kreut të Task Forcës kundër koronavirusit, e kanë humbur betejën me COVID-19 dhe fatkeqësisht janë ndarë nga jeta.
Edhe Esmail Najjar, që është kreu i organizatës së menaxhimit të krizave në Iran, është izoluar pasi ka zbuluar se COVID-19 e ka prekur edhe atë.
Në Itali, ku numri i të prekurve dhe viktimave është më i larti në Evropë, vetë lideri i Partisë Demokratike Nicola Zingaretti, njoftoi përmes një video në faqen e tij të Facebook-ut se kishte rezultuar pozitiv në testin COVID 19. Ai e ndau me italianët betejën e tij të hapur me koronavirus më 7 mars, duke nisur me fjalët: “epo, mbërriti edhe te unë”.
Pasojat e një izolimi të rreptë po i përjetojnë edhe politikanë në Itali, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pasi në listën e të infektuarve janë edhe emrat e këtyre politikanëve evropianë.
Franck Riester, ministri francez i Kulturës rezultoi pozitivë në testin COVID-19 më pesë ditë më parë, më 9 mars.
Publikisht, Ministria e Kulturës në Francë deklaroi se Riester mund të jetë infektuar gjatë Asamblesë Nacionale, ku u diagnostifikuan edhe 5 persona të tjerë me të njëjtin virus.
Nadine Dorries, ministrja e shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar është një tjetër politikane që i bashkohet izolimit dhe luftës reale me koronavirus. Dorries rezultoi pozitive këtë javë, por dyshimet se mund t’ia ketë përcjellë këtë virus edhe kryeministrit Boris Johnson janë të mëdha.
Ajo ka deklaruar se mes emrave që ka takuar pak ditë përpara se të zbulonte që ishte pozitive ndaj COVID 19 dhe pak ditë përpara se të shfaqeshin shenjat e sëmundjes, ajo ka takuar edhe kryeministrin britanik. Javier Ortega Smith, një tjetër politikan europian, këtë herë nga Spanja, njëkohësisht edhe përfaqësuesi i Vox, ka rezultuar pozitiv ndërsa menjëherë pasi ka marrë lajmin ka kërkuar mbylljen e kongresit të deputetëve në Spanjë pasi vetë ai ka qenë dy ditë më parë pjesë e një kongresi politik.
Edhe politikanë nga Mongolia dhe Skocia, janë vetizoluar pasi kanë rezultuar pozitivë ndaj COVID 19, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump edhe pse ka takuar disa prej atyre që janë izoluar për shkak të virusit, nuk rezulton ta ketë marrë virusin.
Shkencëtarët e shpjegojnë këtë përhapje të virusit edhe në politikë për shkak të angazhimeve që klasa politike në botë kishte përcaktuar edhe më herët. Duke mos anuluar takimet me shumë persona njëkohësisht, por po ashtu edhe shtrëngimet e duarve në raste marrëveshjesh janë shkaqet kryesore të përhapjes së këtij virusi edhe mes politikanëve.