Rivalët historikë, Turqia dhe Greqia ndonëse janë anëtarë të NATO-s, kanë mosmarrëveshje rreth çështjeve që variojnë nga fluturimet mbi hapësirat territoriale të të dyja palëve, statusi i ishujve të Egjeut e deri te kufijtë detarë dhe burimet hidrokarbure në Mesdhe, si dhe Qiproja e ndarë etnikisht.
Ndërkohë, gjatë takimit që zhvilloi të martën në Athinë me homologen e tij franceze Catherine Colonna, Ministri i Jashtëm Nikos Dendias iu referua kërcënimeve të fundit që burojnë nga Ankaraja, duke thënë se Turqia dëshiron “të kthejë mbrapa orën e historisë dhe të ringjallë Perandorinë Osmane.
Ministrja franceze e cili gjithashtu vizitoi Turqinë, i tha ministrit të Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu se nuk duhet të ketë përshkallëzim retorik.
“Unë do të këshilloja këdo që ëndërron sulme dhe pushtime të mendojë 3 ose 4 herë. Ne jemi të gatshëm për të mbrojtur atdheun tonë, pavarësinë territoriale dhe integritetin”, u shpreh Dendias.
Ministrja konfirmoi mbështetjen e Parisit për Athinën.
“Pa hezitim, Franca ka qenë gjithmonë në krah të Greqisë dhe Qipros kur është e nevojshme edhe kur sulmet ndaj sovranitetit mund të jenë një tundim për vendet fqinje, kështu që ne kemi qenë gjithmonë në krah të Greqisë dhe do të vazhdojmë të jemi”, u shpreh Colonna.
Gjatë vizitës në Sarajevë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e përsërit kërcënimin e tij për të “shkuar papritur një natë” në ishujt grekë. Ai u duk i vendosur duke mos i lënë hapësirë qetësisë dhe diplomacisë.
Edhe Shtetet e Bashkuara dënuan kërcënimet e presidentit turk ndaj Greqisë duke i cilësuar “të padobishme”, ndërsa theksuan se sovraniteti grek mbi ishujt e Egjeut “nuk është në pikëpyetje”.
Shtetet e Bashkuara inkurajojnë aleatët e NATO-s që të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon dhe për të zgjidhur dallimet në mënyrë diplomatike.