Dhjetë ditë nga grabitja e miliona eurove në pistën e aeroportit të Rinasit, policia dhe prokuroria nuk kanë ende emra të autorëve që kanë marrë pjesë në të.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat “Policia e Shtetit thotë se së bashku me Prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligj zbatuese mbeten të angazhuara për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të grabitjes, zbulimit të autorëve dhe përballjen e tyre me drejtësinë”.
Për këtë, policia kërkon ndihmën e qytetarëve, që “nëse kanë informacion që beson se ndihmon hetimin, mund të telefonojë në numrin 112, duke garantuar edhe anonimatin.”
Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit hedhin poshtë disa lajme të publikuara në media për identifikimin e dy prej autorëve të grabitjes.
Reagim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit
Lidhur me disa publikime në media ditën e sotme, për hetimet mbi grabitjen e datës 9 prill 2019 në Rinas, grupi i posaçëm hetimor deklaron se këto lajme janë të pavërteta dhe të pasakta.
Duke përfituar nga ky komunikim me mediat dhe publikun, garantojmë qytetarët se Policia e Shtetit, Prokuroria dhe agjenci të tjera ligj zbatuese mbeten shumë të angazhuara për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të grabitjes, zbulimit të autorëve dhe përballjen e tyre me drejtësinë.
Çdo qytetar që ka informacion që beson se ndihmon hetimin, mund të telefonojë falas në numrin 112, duke ju garantuar anonimatin.